Ndarja e 2 milionë eurove, Vitia: Ka filluar transformimi rrënjësor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se ka filluar “transformimi rrënjësor” i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Vitia ka deklaruar se janë ndarë 2 milionë euro investime të parapara në infrastrukturë dhe pajisje për vitin 2023.
Ministri shprehet se tashmë është i gatshëm projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme për pacientët në Onkologji, dhe se së shpejti do të shtohen kapacitete e stafit profesional shëndetësor.
“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar për të ngritur cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientët në nevojë. Furnizimi me barna është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%. Angazhim i shtuar që kjo përqindje të rritet dhe të plotësojë nevojat e pacientëve tanë”- ka shkruar Vitia në facebook.
KALLXO.com ka raportuar javën e kaluar për rastin e një pacienti i cili është Iniciues i shkrimit të një letre drejtuar krerëve të shëndetësisë në Kosovë, ku kërkohet përmirësimi i kushteve në Onkologji. Kjo letër është përkrahur nga disa pacientë dhe është vendosur në dyert e Klinikës.
Ilir Kurtishi, drejtor i Onkologjisë tha se iniciuesi i letrës ka dashur që përmes saj t’i bëjë presion Qeverisë për shtimin e stafit e të hapësirave.
Sh.M. ndonëse i pakënaqur me kushtet e Onkologjisë ai i quajti heronj pjesëtarët e stafit të kësaj Klinike dhe u shpreh i kënaqur me punën e tyre.
“Aty është një numër i jashtëzakonshëm i pacientëve që marrin terapi, është një përpjekje e jashtëzakonshme e stafit për me na shërby mirë, megjithatë gjendja është shumë e rëndë” – tha ai.
Të mërkurën e para katër javëve, Kurtishi tregoi se kanë marrë terapi 350 pacientë, që siç tha ai është numër më i madh i pacientëve sesa në Emergjencën e QKUK-së.
Kjo mbingarkesë ai tregoi se ka ndodhur për shkak se ato ditë kanë qenë ditë festash dhe është punuar vetëm me kujdestar.
Onkologjia nga këndvështrimet e drejtorit të Klinikës dhe një pacienti