Foto: KALLXO.com

Mustafa e Veliu thonë se Vetëvendosje duhet të ofrojë zgjidhjen për koalicionin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, njëzëri kanë deklaruar se zgjedhjen e situatës për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, e presin nga partia e Albin Kurtit.

“Zgjidhjen për situatën për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje e ka Vetëvendosja, jo Lidhja Demokratike e Kosovës”, kështu deklaroi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe ish- ambasadorin Wiliam Walker.

Njëjtë është deklaruar edhe kryetari i Podujevës dhe numri dy i LDK-së, Agim Veliu.

“Ne po presim një zgjidhje nga VV-ja. Një zgjidhje që është funksionale për dy palët, derisa ta marrim zgjedhjen po presim. Përgjegjësia është e atyre që të ofrojë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Nuk po flas as për ofertën e Kurtit sepse ne nuk i kemi shqyrtuar në organet tona. Ofertat e veçanta nuk i shqyrtojmë. Kemi biseduar për parimet që duhet ti ketë një qeverisje. Po e presim një zgjidhje që ata duhet ta ofrojnë që të kemi një qeveri stabile”, ka thënë Veliu.

Sot nuk dihet nëse do të ndodh ndonjë takim ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

Gjatë javës së kaluar, dy shefat e partive të cilat dolën të parat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, u takuan tri herë radhazi, por nuk u pajtuan që të nënshkruajnë marrëveshjen e cila do t’i caktonte edhe postet brenda ekzekutivit të ri kosovar.

Ndërsa, dje gjatë ditës, Kurti në një takim me kryetarët e degëve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se është në pritje të një përgjigjeje ndaj një propozimi të ri që ia ka bërë Isa Mustafës të enjten.

“Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi”, citohet të ketë thënë Albin Kurti.

“Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, thuhet tuje në komunikatën për media të LVV-së.

Sipas Kurtit, aktualisht asnjëra palë në negociata nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor nuk mund të kthehet mbrapa.

“Është e vërtetë se jemi afruar, dhe po u afruam edhe pak, do të bëjmë marrëveshje. Vullnet e interes kemi, por garancion nuk mund të jap sepse nuk varet nga unë. Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”, ka deklaruar Kurti dje gjatë ditës.

Përfundon takimi në LDK me ambasadorin Kosnett

.