Musliu: Gjendja e sigurisë është stabile, shqetësuese panika e qytetarëve

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka thënë se Kosova nuk kërcënohet drejtpërdrejtë nga ndonjë pasiguri dhe ka kërkuar nga qytetarët të mos ndjellin panik.

Musliu, këtë deklaratë e ka thënë pas raportimit të drejtorit të AKI-së në këtë komision Petrit Ajeti, i cili u mbajt me dyer të mbyllura për media ku temë e diskutimit ishte çështja e përgjithshme e sigurisë.

“Sot kishim për raportim drejtorin e AKI Petrit Ajeti për të na informuar në detaje për gjendjen e sigurisë në vend. Morëm raportim në detaje për çdo gjë dhe për çështjen e përgjithshme të sigurisë kombëtare”, tha ajo.

Ajo ka siguruar qytetarët që nuk ka vend për panik.

“Dua që përmes juve t`i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës që nuk ka vend për panik, gjendja e sigurisë është stabile. Kujdesi i institucioneve të sigurisë përfshirë edhe AKI është në gjendje gatishmërie dhe në krye të detyrës po i kryen detyrat e veta me përpikëri prandaj nuk ka vend për panik”, tha Musliu.

Shqetësuese sipas saj mbetet paniku i qytetarëve për t`u furnizuar me rezerva në derivate dhe artikuj bazë.

“Përmes juve kërkoj nga presidentja dhe kryeministri të deklarohen për gjendjen e sigurisë në vend sepse te qytetarët është vërejt panik e shtuar të cilët kanë filluar të furnizohen me rezerva të shumta. Është shqetësuese dhe alarmante kur i shohim pompat e derivateve në rreshta të plotë duke u furnizuar me derivate mos të flasim për mjelin e artikuj tjerë bazë”, përfundoi ajo.