VIDEO - Mungesa e ministrave në seancë, deputetja Musliu lëshon sallën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka lëshuar seancën e thirrur për pyetje parlamentare, pasi ka deklaruar se është e pa kuptimtë të mbahet në mungesë të shumicës së ministrave.

Ajo ka thënë se për ministrin e punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka bërë një pyetje në qershor të vitit 2023 dhe nuk ka marrë përgjigje ende.

“Është e pakuptimtë që ministrat në asnjë seancë nuk vijnë të përgjigjen dhe më nuk i justifikon asgjë, as udhëtimet jashtë vendit as agjendat brenda. E kam bë një pyetje për ministrin Sveçla më 5 qershor 2023 sot jemi në dhjetor dhe ai nuk vjen të përgjigjet. Nuk e di pse ja vlen të rrimë në këtë seancë. Ose koordinohuni me kabinetin që ata të vijnë ta kryejnë obligimin ose mos i thirrni këto seanca koti. Seancë hajgare. Kjo e degradon Kuvendin e Kosovës. Jemi bë qesharak. Unë tërhiqna nga kjo seancë sepse është e pa kuptimtë dhe e padrejtë të rri me tutje në këtë Kuvend” – është shprehur Musliu.

Lidhur me këtë çështje, kritika ka adresuar edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e cila deklaroi se sot në seancë do të duhej të ishin prezent ministrat.

“E keni obligim edhe ju edhe kryetari i Kuvendit me e ftu qeverinë me respektu institucionin e Kuvendit. Kjo qeveri është jo transparente dhe mezi po tenton me gjet fije për të mos u ballafaquar me deputetët” – tha deputetja Kadriaj.

Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e ka quajtur “papërgjegjshmëri mungesën e ministrave në seancë”

Para se të fillonte punimet e seancës, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ka treguar cilët ministra mungojnë sot në seancë.

Ndërsa ka thënë se edhe kryeministri Albin Kurti nuk mund të jetë sot pjesë e punimeve të Kuvendit.

“Nuk i kemi ministren e punëve të jashtme Donika Gërvalla, zëvendëskryeministren Emilia Rexhepi, ministrat Liburn Aliu, Xhelal Sveçla, Rozeta Hajdari dhe Fikrim Damka. Edhe kryeministri na ka njoftu që në këtë kohë nuk mund të marrë pjesë dhe ka kërku që të shtyhet por është marrë vendim të Kryesi të Kuvendit” – tha në fillim të seancës nënkryetarja Bogujevci.

Mungesën e tyre ajo e ka arsyetuar mu angazhime tjera dhe udhëtime jashtë vendit.

“Kam njoftim për disa nga ministrat që kanë angazhime të tjera, janë jashtë vendit dhe e kanë pas të pamundur të marrin pjesë në këtë seancë”- tha ajo.

Bugujevci njoftoi se për këtë seancë janë paraqitur 80 pyetje, 43 të bartura dhe 37 janë të parashtruara për herë të parë.

Me vendim të Kryesisë së Kuvendit, sot po mbahet seancë e veçantë me një pikë të rendit të ditës, atë për pyetje parlamentare.