Deputetes Ganimete Musliu i dëmtohet vetura në parking

Deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, i është dëmtuar vetura gjatë kohës sa e kishte në parking, në Prishtinë.

Për KALLXO.com ajo bëri të ditur se rastin e ka raportuar në Polici.

Ndërsa, tutje tha se vlen të theksohet që pasi është identifikuar personi, i njëjti e ka njoftuar se e kishte lënë numrin e telefonit mbi veturë pasi e kishte goditur atë.

“Dikush në parking ma ka goditë makinën. E identifikuam personin përmes kamerave dhe e thirrëm në telefon. Është me rendësi me cek se ai personi tha se e ka lënë numrin e telefonit mbi veturë, dhe kur dolëm me e lypë e kemi pa që numri ku e ka shënu ka kalu brenda në një pjesë të veturës dhe nuk e kemi pa fillimisht, dhe është gjithçka në rregull”- tha deputetja Musliu.

Foto: Ganimete Musliu

Sipas saj ka qenë aksident i rastit dhe nuk ka qenë i qëllimshëm.

Ndërsa tha se me të tjerat detaje tashmë po merret Policia e Kosovës.

“Tash është në hetim rasti. Thjesht dëm i kanë bë veturës kur ka qenë në parking. E ka goditë dikush dhe ka ecë. E kam thirrë Policinë, e kanë pa vendin e ngjarjes, unë e kam dhënë deklaratën. Nuk ka diçka serioze. Është aksident i rastit, nuk është me qëllim. Tash Policia merren me të tjerat”- shtoi ajo.

KALLXO.com lidhur me rastin ka kërkuar informacione nga Policia dhe është në pritje të përgjigjes.