Musliu: Turp që në Kuvend vetëm 17 deputetë votojnë pro pensioneve të Policisë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka propozuar në Kuvend amendamentin që në buxhetin e vitit 2024 të shtohen 10 milionë euro për pagesën e pensionimit të parakohshëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të Inspektoratit Policor.

Ky amandament nuk e ka marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pro këtij amandamenti votuan 17 deputetë, kundër ishin 43, ndërsa pesë abstenuan.

Shumica e deputetëve të LVV-së votuan kundër këtij amandamenti. Kjo bëri që deputetja Musliu të shpreh kritika të ashpra ndaj tyre.

Ajo tha se duhet të kenë turp të kundërshtojnë një amandament që sipas sajë është bazik.

“Ju për inate personale e polike votoni kundër këtij amadamenti. Turpi qoftë mbi ju. Jeni duke e shkatërrua shtetin. Kjo është e pafalshme. Turp që vetëm 17 deputetë të votojnë pro pensioneve të Policisë. Turp”- u shpreh ajo.

Në qershor të këtij viti, Projektligji për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Në votimin e këtij Projektligji, iniciues i të cilit është Partia Demokratike e Kosovës, kanë marrë pjesë 65 deputetë, prej të cilëve 16 kanë votuar pro, asnjë kundër dhe 51 të tjerë kanë abstenuar.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton sot në lexim të dytë, Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Sipas njoftimit, kjo është e vetmja pikë e rendit të ditës për seancën e sotme.