Foto: Pixabay

Mungojnë CD-të në Stomatologjinë e QKMF-së në Prishtinë, pacientët fotografojnë rezultatet e rentegenit në ekranin e kompjuterit

Poliklinika e Stomatologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka mbetur pa CD e materiale të tjera dhe si pasojë e kësaj pacientët detyrohen që rezultatet e incizimeve të ndryshme t’i fotografojnë nga ekrani i kompjuterit.

Një përvojë të tillë e kishte pasur M.S., i cili në një bisedë për KALLXO.com ka rrëfyer se si është detyruar që rezultatin e rëntgenit të tij ta fotografojë me telefon prej kompjuterit të Poliklinikës Stomatologjike në Qendrën Kryesore Mjekësore Familjare në Prishtinë.

Kjo Poliklinikë ka mbetur pa CD për më shumë se një muaj për shkak të shkëputjes së kontratës ende pa nisur implementimi. Kontrata e nënshkruar mes kompanisë “Europrint Group” dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare më 24 gusht në vlerë 6 mijë euro, u ndërpre pak më shumë se një muaj pas nënshkrimit të saj. Kontrata u ndërpre për shkak se kompania e përzgjedhur nuk ka realizuar detyrimet sipas kontratës.

“Ndërpritet kontrata “Furnizim me CD dhe material zyrtar”. Autoriteti Kontraktues e njofton operatorin ekonomik “Europrint Group” për mospërgjegjësinë në realizim të kontratës dhe në emër të dëmit të shkaktuar institucionit i ndalohet pjesëmarrja në çfarëdo aktiviteti të prokurimit te Autoriteti Kontraktues – QKMF për një periudhë 24 mujore nga data e vendimit” – thuhet në vendimin për shkëputje të kontratës.

Zëvendësdrejtori i QKMF-së, Rrezart Halili, e ka konfirmuar për KALLXO.com mungesën e materialit në Njësinë e Radiologjisë, ku zhvillohen incizimet e nofullës, për shkak të ndërprerjes së kontratës.

“Duke u bazuar në procedurat administrative ligjore, njoftimi paraprak për shkëputje kontrate është bërë më 15.09.2022, për arsye se kompania fituese “Europrint” ka kërkuar të sjellë CD jashtë specifikave teknike, dhe ka qenë e papranueshme për njësinë kërkuese.” – tha Halili.

Ai tregoi se përveç CD-ve, ka mungesë edhe të dosjeve dhe plikove të CD-ve që rreth një muaj.

Në anën tjetër, kompania “Europrint” tha për KALLXO.com se pas nënshkrimit të kontratës kanë bërë kërkesë te prodhuesit e tyre në tregun ndërkombëtar, por ata i kanë informuar se CD-të e kërkuara nga QKMF-ja në Prishtinë mund të vijnë në Kosovë vetëm pas 2 ose 3 muajve.

“Krejt këto probleme në furnizime kanë ardhur si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe tash së fundi luftës në Ukrainë, ku prej këtyre faktorëve është dëmtuar shumë transporti dhe prodhimi në mallra, dhe normalisht janë shtrenjtuar çmimet për afër diku 50%. Për këtë arsye, ne e kemi njoftuar AK-QKMF mbi gjendjen e cila është, ku i kemi thënë se nuk kemi në stoqet tona për momentin CD-RË, por vetëm CD-R.” – thanë më tutje nga kjo kompani.

Zëvendësdrejtori i QKMF-së, Rrezart Halili, tregoi se tenderi i ri për furnizimin me materialin e nevojshëm do të hapet jo më larg se 7 ditë pas vendimit përfundimtar për shkëputje.

Kontrata për “Furnizim me CD dhe material zyrtar” ishte nënshkruar më 24 gusht 2022 në vlerë 4,300 euro apo 1,700 euro më pak se vlera e parashikuar. Kohëzgjatja e kontratës ishte përcaktuar të jetë 1 muaj.

Më 24 gusht 2022 është nënshkruar kontrata, nga gjashtë tenderët e pranuar , pesë prej tyre ishin shpallur të përgjegjshëm.