Mungesa e deputetëve serbë pamundëson plotësimin e Kushtetutës së Kosovës për të drejtën e personave me aftësi të kufizuara

Për shkak të mungesës së deputetëve serbë, Kuvendi i Kosovës nuk e pati pjesëmarrjen e mjaftueshme për të hedhur në votim propozimin për të përfshirë në Kushtetutën e Kosovës në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtën e personave me aftësi të kufizuara.

Ndonëse grupet tjera parlamentare deklaruan se e mbështesin ketë propozim, Kuvendi nuk arriti të miratojë atë për shkak se për ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme dy të tretat e votave.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se për amendamentin e Kushtetutës nevojiten së paku 14 deputetë nga komunitetet jo-shumicë, ndërsa sot të pranishëm në sallë janë vetëm shtatë.

“Brenda 80 deputetëve që mbështesin amendamentin nevojiten së paku 14 vota të deputetëve nga komunitetet jo shumicë, kjo po konstatoi se nuk është e mundshme. Kemi vetëm shtatë. Këtu ndërpriten punimet e kësaj seancë. Nuk ka kushte objektive të votohet ky amandament i Kushtetutës”- tha ai.

Para deputetëve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka prezantuar propozimin e Qeverisë për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e personave me aftësi të kufizuara.

Ai tha se kjo konventë fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të drejtave të tyre në të gjitha fushat.

“Vitin 2022 e patëm shpallur si vitin e personave me aftësi të kufizuara. Sot po propozohet përfshirja e të konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtën e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si amandament kushtetues. Një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur të normohet edhe me Kushtetutën e Kosovës”- tha Vitia.

Ndërsa, grupet paralamentare në Kuvend përveç se deklaruan se e mbështesin këtë propozim të qeverisë kërkuan nga e njëjta që të punojë më shumë në fuqizimin e këtyre personave.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri tha se duhet të ketë angazhim në përkrahje financiare të personave me aftësi të kufizuar.

“Një amanadament i tillë është i rëndësishëm, por konsiderojmë që kjo nuk duhet të mbetet thjeshtë me plotësim ndryshimin e dokumenteve, duhet të kemi anagazhim në përkrahjen financiare të këtyre personave që ti bëjmë të ndihen të barabartë. Të angazhohemi më shumë që këta persona të jenë pjesë e institucioneve”- deklaroi ai.

Ndërsa, në emër të LDK-së, deputeti Driton Selmanaj tha se është e papranueshme që Ligji për pagën minimale le jashtë disa kategori të shoqërisë.

“Mos të harrojmë që para pak ditësh është miratu ligji për pagën minimale dhe për fat të keq tri kategori, të verbrit, paraplegjiket dhe tetraplegjiket janë heq nga paga minimale. Kjo është e pa pranueshme. Është koha që qeveria të reflektojnë dhe këto kategori të marrin vlerësimin meritor nga ana e shoqerisë dhe shtetit”- tha ai duke shtuar se nisëm për amandamentim e përkrahin.

Shefi e deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ngriti çështjen e pamundësisë që ky amandamentim të ndodh.

“Kjo sot nuk do të kaloj sepse kemi bllokadë të deputetëve të Listës Serbe. Ne e dimë që viti 2022 ka qenë i personave me aftësi të kufizuara dhe janë bërë disa veprime. Në vitin 2024 mundemi që së paku tri ministri, ajo e Financave, do të duhej që të bëjmë një plan të veprimit konkret të rrit pakon financiare për atë që ofron shërbime për këta persona” – tha ai.

Ndërsa, deputeti Enis Kervan tha se grupi multietnik në Kuvendin e Kosovës kurrë nuk do të jetë pengesë për ndryshimin e Kushtetutës për çështje të tilla.

“Duke ditur rrethanat dhe të drejtat kushtetuese për ndryshim dhe që është çështje e rëndësishme si grup parlamentar multietnik që e përfaqësojmë komunitetet jo serb në Kosovë e përkrahim këtë. Kurrë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi pengesë për ndryshim të Kushtetutës”- tha ai.

Për ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.

Aktualisht, prej 10 vendeve të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb, 9 i mbanë partia Lista Serbe dhe një deputetë është nga partia GI-SPO.

Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor të vitit të kaluar.

Prej betimit të tyre si deputetë në Kuvendin e Kosovës, ata kanë marrë pjesë vetëm dy herë në punimet e seancave plenare, për t’u nënshkruar për pjesëmarrje.

Në korrik të këtij viti, KALLXO.com ka raportuar se pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht ashtu si deputetëve të tjerë.

125 mijë euro paga për 10 deputetët serbë që shkuan veç një ditë në Kuvend