Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Diskriminimi gjinor në disa paga në RTK

Ndërtimi i barazisë gjinore brenda mediave është njëri nga diskutimet e mëdha që zhvillohet në mediat të mëdha botërorë dhe veçanërisht në ato publike.

Këto të fundit me standardet ligjore të barazisë do duhej të garantonin paga të njëjta për pozitat e njëjta për profesionet e njëjta të ushtruara nga dy gjinitë.

Një hulumtim i KALLXO.com zbardhë se në Televizionin Publik të Kosovës në një rast ka pasur paga të ndryshme për burrat dhe gratë që ushtrojnë profesione të njëjta.

Fadile Kryeziu dhe Mustafë Muqaj ishin angazhuar me kontratë për shërbime në televizionin publik si prezantues të lajmeve në edicionet qendrore dhe edicionet e tjera.

Puna e tyre në prezantim dhe norma ishin të njëjta dhe bashkë me to edhe hapësirat ku prezantonin lajmet, por dallonin pagat që ata merrnin.

Në një listë të pagave të muajit nëntor të vitit 2021 që ka siguruar KALLXO.com, Muçaj paguhet 980 euro në muaj, ndërsa Kryeziu 700 euro në muaj. Pra, kishte një diferencë në pagë prej 270 euro.

Në organogramin e RTK-së Kryeziu e Muçaj mbajnë pozitën e bashkëpunëtorit profesional në redaksinë e dhomës së lajmeve në mediumin publik dhe kontratën e nënshkruar në muajin korrik të vitit 2021.

KALLXO.com ka siguruar edhe një orar të prezantimit të lajmeve në RTK për muajt dhjetor 2021 dhe janar 2022.

Sipas këtyre orareve, Muçaj dhe Kryeziu kanë numër të njëjtë të ditëve (shtatë) brenda muajit që do të prezantojnë edicionin e lajmeve.

KALLXO.com më 28 shkurt të këtij viti ka dërguar pyetje në menaxhmentin e Radiotelevizionit të Kosovës se pse njëri paguhet më shumë pavarësisht pozitës dhe kohës së njejtë të punës.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë për KALLXO.com se Fadile Kryeziu dhe Mustafe Muçaj kanë kontrata e bazuara në shumën e ofruar apo të negociuar nga ana e tyre me menaxhmentin.

“Të dy i kanë kontratat e bazuara në shumën e ofruar apo të negociuar nga ana e tyre me menaxhmentin… Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu janë punësuar në RTK më 01.01.2000. Të dy në vazhdimësi kanë pasur kontrata mbi vepër dhe që nga vitit 2017, kontratë për shërbime për pozitën moderator, në cilësinë e bashkëpunëtorëve profesional, Bazuar në Rregullore për normat e punës në sektorin programor dhe për bashkëpunëtorët e jashtëm të RTK-s, shuma maksimale për pagesë për një moderim është 150 Euro”, tha Ahmetxhekaj.

Negocimi është standard ku palët përcaktojnë çmimin, mirëpo nëse negocimi shkon në disfavor të grave atëherë kjo tregon për një mungesë të standardit në shpenzimin e parave publike.

I kontaktuar nga KALLXO.com për të sqaruar procesin se si arriti të marrë pagë më të lartë sesa kolegia e tij Fadile Kryeziu, Mustafë Muqaj është arsyetuar se ka kryer edhe punë të tjera shtesë në dhomën e lajmeve.

“Po zakonisht dhe kryesisht emisionet dokumentare që i ka televizioni i lexoj. Kam edhe punë shtesë. Të gjitha dokumentarët pas luftës as Fadilja as askush nuk munden dhe nuk e kanë aftësinë me lexu”, tha ai.

KALLXO.com ka kërkuar nga Muçaj që të përcjellë linqet e dokumentarëve që ka lexuar vitin e fundit por nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndërkaq Fadile Kryeziu tha se nuk ka njohuri në lidhje me pagën më të madhe të Mustafë Muçajt.

“Jo, unë jam vetëm në edicionin e lajmeve. Nuk kam njohuri për pagesat”, tha ajo.

Kryetari i bordit të RTK-së , Besnik Boletini, gjatë raportimit para Komisionit për Buxhet muajin e kaluar tha se me kontratat e reja dy moderatorët kanë pagë të njëjtë.

Ndërsa, Ushtruesi i detyrës së drejtorit gjeneral të RTK-së gjatë këtij raportimi tha se Muçaj dhe Kryeziu kanë pasur ‘kontrata të negociueshme’ dhe jo paga të ndryshme.

“Bëhet fjalë për ikonat e RTK-së, Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu, të cilëve nuk iu është ndërprerë (kontrata). Ata të dy janë në prag të pensionimit dhe janë figura të njohura. Nuk është e vërtetë që kanë pas paga të ndryshme, ata kanë pasur kontrata të negocioushme dhe nëse ndonjëri kish kërku pagë më të madhe, po besoj që ajo ish negociu. Këta asnjëherë nuk kanë pas kontrata të rregullta në RTK”, tha ai.

Raporti i diferencës së pagave nga BBC

Viteve të fundit, BBC-ja, televizioni publik anglez u ballafaqua me kritika që po i paguan burrat më shumë se gratë për punën e njejtë. Si rezultat i presionit publik, BBC u detyrua të ul hendekun mes dallimeve në paga.

Në vitin 2020 BBC botoi një raport ky theksoi se hendeku mesatar i pagave kishte rënë në 6.2%, nga 9.3% sa ishte në 2017.

BBC ka raportuar për dallimet në paga në mes burrave dhe grave ndër vite edhe në institucione tjera. Sipas një artikulli të publikuar në fund të vitit të kaluar, ky hendek i pagave nuk po arrin të përmirësohet.

Analiza e BBC-së zbuloi se sipas sektorëve, diferencat më të këqija të pagave gjinore janë mesatarisht në arsim, financa dhe sigurime dhe ndërtim.

Hendeku gjinor i pagave te një kompani mund të shkaktohet edhe nga gjëra të tjera, për shembull më pak gra në poste të larta ose shumë të paguara ose më shumë gra në punë me kohë të pjesshme.

Ndërsa, në KALLXOPernime, në një debat në të cilën është diskutu raporti i Auditimit për RTK-në, kryetari i bordit të RTK-së Besnik Boletini ka thënë se pagat në RTK nuk janë rritur ndër vite, mirëpo ai ka sqaruar se ka pas ngritje të vazhdueshme në pozita për persona të caktuar dhe në këtë mënyrë u janë rritur pagat. Shumica e personave të ngritur në pozita, me ç’rast kanë pësuar rritje në paga, janë burra.

Radiotelevizioni i Kosovës aktualisht ka mbi 700 punëtorë të rregullt.

Shumica e punëtorëve që kanë kontrata të rregullta nuk ishin dashur të diskriminohen për shkak të sistemit të koeficentëve, megjithatë konstatimet se në kontrata për shërbime ka pasur diferenca janë shqetësuese.

Diskriminimi ndaj grave në punësim është evident edhe nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK, ku tregohet se vazhdimisht ka punësim më të lartë të burrave se të grave, më saktësisht në vitin 2021 42.8% të burrave në Kosovë janë të punësuar kundrejt 15.9% të grave. Kjo përkundër faktit që numri i të diplomuarve në Universitetet e Kosovës, publike dhe ato private është përafërsisht 50/50 sa i përket të diplomuarve gra e burra.

Të dhënat e ASK-së për 2021 gjithashtu tregojnë se papunësia te gratë në Kosovë është 29.7%, krahasuar me burrat, 24.2%.