Ilustrim

MPJ: Të gjithë qytetarët që vijnë në Kosovë do të futen në karantinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur që të gjithë qytetarët të cilët do të vijnë nga jashtë, do të vendosen në karantinën të cilët e ka caktuar Ministria e Shëndetësisë.

Po ashtu përmes këtij njoftimi, këto dy ministri kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët që kanë urgjenca të paraqiten në Ambasadat dhe konsullatat e shteteve përkatëse për t’u përfshirë në listën e kthimit.

Më tej në komunikatë po ashtu thuhet që njoftimi vlen edhe për të gjithë qytetarët, të cilët synojnë të hynë në Kosovë përmes rrugëve tokësore.

“Për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 dhe masave të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë për ta luftuar atë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur që secili nga qytetarët tanë që futet në Republikën e Kosovës, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësor, do të dërgohet në karantinë për 14 ditë, në një vend të caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Për shkak të kapaciteteve të kufizuara të karantinimit dhe në mënyrë që mos ta rrezikoni shëndetin tuaj, të familjes suaj dhe qytetarëve të tjerë, ju bëjmë thirrje që vetëm rastet, të cilat kanë urgjenca, të paraqiten në Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës, për t’u përfshirë në listën e kthimit. Gjithashtu, thirrjen e njëjtë ua bëjmë të gjithë qytetarëve, të cilët synojnë të hyjnë në Republikën e Kosovës nëpërmjet rrugëve tokësore”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.