Mosmarrëveshja që kaloi deri te plagosja në “Bon Vivant”

17 persona të plagosur e lënduar mbetën mbrëmjen e kaluar në lokalin “Bon Vivant” i cili gjendet në rrugën “Xheladin Hana” në kryeqytet.

Një nga të plagosurit për shkak të plagëve të rënda në pjesën abdominale të trupit, ka vdekur mëngjesin e sotëm, rastin të cilin e konfirmoi për KALLXO.com, shefi i repartit intensive, Shaqir Uka.

Viktima është burrë i moshës 39 vjeçar.

Sipas policisë, dyshohet se plagosjes i parapriu një mosmarrëveshje brenda lokalit në mes të disa personave të dyshuar.

Menjëherë pas kësaj mosmarrëveshje gjithmonë sipas policisë, janë përdorur edhe armët e zjarrit e që si pasojë janë plagosur persona të cilët policia i ka identifikuar si të dyshuar.

Në lokal pati edhe thyerje të gotave e shisheve të qelqit, nga të cilat lëndime morën 17 persona prej tyre tre burra dhe 14 gra.

Të gjithë të plagosurit dhe lënduarit u dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës- QKUK.

Katër të plagosur e që janë në cilësinë e të dyshuarit mbetën në hospitalizim dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar nën përkujdesje të policisë.

Në vendin e ngjarjes KALLXO.com mbrëmë raportoi se u panë ekipe të shumta të policisë së njësive të ndryshme.

Policia ka njoftuar gjatë ditës së sotme se në vendin e ngjarjes është dërguar edhe ekipi i qenve K-9 ndërsa janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.

Një person që po konsiderohet si i dyshuar sipas policisë është në arrati dhe në kërkim nga policia.

Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje.