Mitrovica e Veriut, Foto: REL

Mitrovica e Veriut merr vendim t'i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës

Komuna e Mitrovicës Veriut sot ka marrë vendim që t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Doli.

“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”- ka shkruar Doli.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Mitrovicë së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill 2023, pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave veriore, me shumicë serbe.

Që nga 26 maji, është protestuar për hyrjen e kryetarëve nëpër objektet komunale në Leposaviq e Zveçan. Gjatë protestave ka pasur përplasje të pjesëtarëve të KFOR-it dhe protestuesve, ku kanë mbetur të plagosur dhe lënduar mbi 30 paqëruejtës të KFOR-it dhe disa qytetarë serbë.

Gjatë këtyre ditë, disa persona të maskuar mes protestuesve kanë sulmuar fizikisht gazetarët kosovarë të cilët kanë shkuar të raportojnë për zhvillimet nga veriu. Disa prej të dyshuarve për sulm ndaj gazetarëve janë arrestuar nga Policia e Kosovës.