MIT jep shpjegime për dështimin e mbajtjes së provimeve për patentë shofer

Për katër ditë në Qendrën e Patentë Shoferit në Prishtinë nuk po mbahen testet me shkrim për lejen e vozitjes.

Për këtë, sot ka dhënë shpjegime Ministria e infrastrukturës dhe Transportit në një komunikatë për media.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ju informon se aktualisht është duke punuar në zgjidhjen e çështjes së mbajtjes së testimit praktik për patentë shofer, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik me numër 06/L-114”, thuhet në njoftimin e Ministrisë që udhëhiqet nga ministri në detyrë i AAK-së, Pal Lekaj.

Sipas njoftimit të MIT, krejt kjo ka ndodhur pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik.

“Me skadimin e vendimeve të ekzaminerëve, ky ligj që në fuqi hyri me 11 shtator 2019, ka shfaqur paqartësi që kërkojnë analizë ligjore drejt vazhdimit të angazhimit të tyre. Me këtë rast, departamentet përkatëse të MIT janë angazhuar për gjetjen e zgjidhjes të kësaj situate, gjithnjë të bazuar në ligj. MIT kërkon mirëkuptim nga kandidatët që nuk kanë mundur t’i nënshtrohen testimit të cilin do të mund ta realizojnë shumë shpejt”, thuhet në fund të njoftimit.

Provimet për patent shofer në Prishtinë nuk mbahen tash e katër ditë

 

www.kallxo.com