Ministria e Infrastrukturës i kundërpërgjigjet Komunës së Drenasit për udhëkryqin e Komoranit

Lirimi i ish-udhëkryqit të Komoranit ka ngjallur polemika mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit në njërën anë dhe Komunës së Drenasit.

Kjo pas vendimit të ministrit në detyrë, Pal Lekaj, që të zhbllokojë për qarkullim të lirë këtë udhëkryq duke insistuar se është kërkesë e banorëve dhe bizneseve të vendit.

Ministria e Infrastrukturës ka reaguar pasi që Komuna e Drenasit e quajti vendimin me qëllim përfitimi politik, dhe që duhet marrë vendim apo pëlqim nga ekspertët e komunikacionit pasi që sipas kësaj Komune paraqet rrezik për sigurinë në komunikacion.

MIT ka siguruar se Drejtoria e Menaxhimit të Rrugëve dhe Komisioni për vendosjen e rrethrrotullimeve kanë dhënë rekomandimin për vendosjen e një rrethrrotullimi në këtë zonë dhe që ka kërkuar nga udhëheqësia lokale që të “mos shpifin për përfitime personale”.

“Para vendosjes së atij të përhershmi, kompania projektuese e kontraktuar nga MIT, po planifikon vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, përmes të cilit do të testohet ndikimi që do të ketë ky ndryshim në komunikacion”, thuhet në njoftim të MIT.

Ministria në largim i ka ‘rikujtuar’ Komunës së Drenasit se sipas Ligjit për Rrugët, MIT është përgjegjëse për rrugët publike nacionale, rajonale dhe autoudhët dhe se i kanë ‘ndihmuar shumë’.

“Ju rikujtojmë që dy vitet e fundit komuna e Drenasit, ashtu si edhe të gjitha të tjerat në mbarë Kosovën, janë përfituese të ndihmës së madhe të MIT edhe në projekte lokale, karshi atyre të karakterit rajonal dhe nacional”, thuhet më tej në njoftimin e Ministrisë së udhëhequr nga Pal Lekaj.

KALLXO.com raportoi sot se në kohë fushate, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka vendosur të enjten që udhëkryqi i Komoranit të zhbllokohet për qarkullim të lirë, me arsyetimin se është kërkesë e banorëve dhe bizneseve të vendit.

Ky vendim i tij ka ngjallur reagim nga Komuna e Drenasit duke e kundërshtuar Lekajn e AAK-së, pasi që sipas tyre, po bëhet për përfitime politike dhe paraqesin rrezik për sigurinë në komunikacion.

Sipas Komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit dhe që sipas tyre, nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje.

Gjithashtu, Komuna thekson se inspektorët komunalë janë kërcënuar më inicim të ‘kallëzim penal” nga ana e ministrit në detyrë.

“Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunal me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë”, thuhet në komunikatën e Komunës së Drenasit, të enjten.

“Të nderuar qytetarë të Drenasit, të gjithë e kemi të njohur faktin për numrin enorm të aksidenteve të shkaktuara në atë pjesë para ndërtimit të Autostradës M9, dhe vetëm mendimi për hapjen e tij pa asnjë analizë të ekspertëve, nënkupton rrezikim të gjithë atyre që kalojnë në atë pjesë, duke marrë parasysh se është autostrada më e frekuentuar në Kosovë”, thuhet në njoftim.Veprimin e djeshëm e kanë quajtur të ‘paprecedent dhe i papërgjegjshëm’, që sipas tyre ka shkaktuar edhe aksidente komunikacioni.

Komuna i ka marrë meritat që rruga katër korsi të kaloj përmes Komoranit, duke ju mundësuar të gjithë banorëve dhe bizneseve të kenë qasje me të lehtë dhe se çështja e ish-udhëkryqit të Komoranit të zgjidhet me rastin e ndërtimit të rrugës me katër korsi Skenderaj – Drenas – Komoran.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për punimet në zgjerimin e rrugës me katër korsi Skenderaj – Drenas, e cila ka filluar në shtator të vitit 2014.

Qeveria Haradinaj ngecë në ndërtimin e autostradës së Skenderajt

Ende pa përfunduar, asfalti në rrugën Skenderaj-Drenas dëmtohet