Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Zvogëlohen pritjet për patentë shofer

Për të iu nënshtruar testeve për t’u pajisur me patentë shofer, kandidatët po presin 3 deri 4 javë, kështu i kanë thënë portalit rtv21.tv nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Kjo dallon prej njësive por afërsisht 3 javë pjesa teorike dhe afër 4 javë pjesa praktike”, ka deklaruar udhëheqësi i Divizionit për Patentë Shofer në kuadër të Ministrisë, Burim Deliu.

Ai për rtv21.tv ka thënë se në regjionin e Prishtinës pritjet janë pak më të gjata, megjithatë ai nuk ka saktësuar sa është kjo pritje. “Në regjionin e Prishtinës pritjet janë pak më të gjata si njësi më e madhe”, ka thënë Deliu.

I pyetur se sa është numri i qytetarëve që po presin të pajisen me patentë shofer? Deli deklaroi: Nuk kemi numër të saktë, por të gjithë kandidatët të cilët e kryejnë aftësimin në tërësi në auto shkollë, pastaj paraqiten në njësit përkatëse të regjioneve për patentë shofer.

Ndërkohë, një qytetare nga Prishtina ka thënë për rtv21 se kishte pritur dy muaj e gjysmë për të iu nënshtruar provimit me shkrim. Ajo ka thënë se më 4 tetor e kishte paraqitur provimin, ndërsa më 21 dhjetor i është nënshtruar testit. Ky nuk ishte rasti i vetëm, ankesa të qytetarëve ka pasur edhe më herët. Pritjet për t’iu nënshtruar provimit teorik, e posaçërisht atij praktik, patën zgjatur me muaj.

Nga janari-nëntor të vitit 2021, gjithsej janë 64 mijë e 881 kandidatë që janë testuar, ka deklaruar për rtv21.tv në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, udhëheqësi i Divizionit për Patentë Shofer, Burim Deliu.

E mosha mesatare e kandidatëve që kanë aplikuar gjatë këtij viti për patentë shofer është 20-24 vjeç. Ndërsa, burrat janë ata të cilët sivjet kanë qenë më shumë të interesuar të pajisen me lejen për vozitje. 54% e kandidatëve ishin burra, ndërsa 46% gra./Rtv21