14 inxhinierë të Ministrisë së Infrastrukturës shkojnë t'i ndihmojnë Shqipërisë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka dërguar 14 inxhinierë të ndërtimtarisë në Shqipëri, për të ndihmuar në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në objekte, pas tërmetit tragjik.

Kjo ministri përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ekipit të MIT i janë bashkuar edhe 12 profesorë të kolegjit UBT, nga fusha e ndërtimtarisë e gjeologjisë, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes MIT dhe këtij institucioni arsimor.

“Ky ekip gjendet në Shqipëri, pas kërkesës së autoriteteve të atjeshme dhe do të kryejnë punë në teren, në koordinim të plotë me vendasit”, vijon njoftimi.

Më tej ka njoftuar se Shqipërinë do ta ndihmojë kjo ministri edhe me makineri të rëndë bartëse, për pastrim të objekteve të rrënuara, pas vlerësimeve të inxhinierëve.

Ky ekip po udhëhiqet nga zëvendësministri në detyrë i MIT-së, Rexhep Kadriu dhe shefi i kabinetit të ministrit në detyrë Pal Lekaj, Argjend Zejnaj.