Ministria e Infrastrukturës e mirëpret hapjen e korridorit ajror Prishtinë - Beograd

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e ka mirëpritur angazhimin për vendosjen e linjës ajrore direkte Prishtinë-Beograd, pasi që sipas tyre, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror.

“Ky hap është mirëpritur nga institucionet e Republikës së Kosovës, të angazhuar për normalizim të hapësirës ajrore, meqë shënon njohje të autoriteteve të aviacionit civil mes dy shteteve dhe bashkëpunim mes tyre, pas 20 vjetëve. Përmes kësaj linje, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror”, thuhet në komunikatën e MIT.

Ministria ka njoftuar se kompania ajrore Lufthansa duhet të kërkojë aprovimet dhe licencat për të gjitha fluturimet, sipas kërkesave, rregulloreve dhe Ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes për ECAA.

Nënshkrimi i marrëveshjes në Berlin

“Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha, ka shprehur mirënjohjen e thellë të Republikës së Kosovës, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa në këtë ceremoni kishin prezent edhe këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit Donald Trump, Robert O’ Brien, për angazhim maksimal drejt normalizimit të hapësirës ajrore mes dy vendeve”, përfundon komunikata.

Më herët, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se pret që të hënën në Berlin të nënshkruhet një letër për synimet e Ministrisë serbe të Ekonomisë dhe kompanisë së fluturimeve Lufthansa, për vendosjen e një linje ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërkaq edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur qëllimin e dy linjave ajrore Eurowings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur linje direkte mes Beogradit dhe Prishtinës, të nënshkruara sot në Berlin të Gjermanisë.

Stoltenberg e ka quajtur hap të rëndësishëm pasi që sipas tij, do të mundësohet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave më lehtë dhe shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe NATO do të mbetet i përfshirë përmes procesit të gjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin ne e udhëheqim”, thuhet në komunikatën e NATO-s të publikuar në faqen zyrtare.

Kësaj letre i është gëzuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai e ka quajtur hap të rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit mes dyja vendeve.

“Unë mirëpres Letrën e Qëllimit që Kosova dhe Lufthansa të hapin një rrugë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. Ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit. Mirënjohës ndaj Nat. Sec. Këshilltar O’Brien dhe RichardGrenell për lehtësimin e procesit”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social ‘Twitter’, të hënën.