Miratohet programi i Qeverisë Kurti

Në mbledhjen e pesë të Qeverisë së Kosovës, pas më shumë se një muaji që prej kur u votua ekzekutivi në krye me Albin Kurtin, është miratuar programi qeverisës.

Ky program, që ende nuk është publikuar në ueb faqen e Qeverisë së Kosovës, është fokusuar në shtatë shtylla kryesore, në ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri; integrime euro-atlantike dhe mjedis.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregull, të pestën me radhë, ka shqyrtuar dhe miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023. Programi identifikon prioritetet qeverisëse brenda mandatit kushtetues të kabinetit aktual qeverisës  si dhe orientimet e veprimit dhe objektivat e synuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e zyrës për media të ekzekutivit kosovar.

Sipas njoftimit, programi i miratuar synon që t’u përgjigjet kërkesave dhe pritshmërisë të qytetarëve.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse janë të ndryshme për nga orientimi ideologjik, në fillim të muajit shkurt u bënë bashkë për të qeverisur vendin në katër vjetët e ardhshme.

“Programi i Qeverisë është dokumenti themelor, me të cilin Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky program bazohet drejtpërdrejt në Marrëveshjen e Koalicionit”, thuhet në komunikatë.

“Në përputhje me marrëveshjen e koalicionit ndërmjet partnerëve qeverisës, qeverisja do të fokusohet në përmirësimin e gjendjes në ato fusha, ku nuk ka progres të ndjeshëm, si në: drejtësi; ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri; integrime euro-atlantike dhe mjedis”, thuhet tutje në njoftim.

“Programi i Qeverisë pasqyron po ashtu, orientimet e përgjithshme të Qeverisë, për sa i përket agjendës së integrimit evropian dhe politikës së jashtme. Programi i Qeverisë transmeton frymën demokratike dhe pluraliste të vendit, që siguron kompletimin e procesit të shtet bërjes dhe integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në kuadër të institucioneve rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, theksohet në komunikatën për media.