Ilustrim

Miratohet në parim Projektligji për ndarjet buxhetore që përfshin koeficientin 105 euro

Më 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore që përfshin koeficientin në vlerë prej 105 eurosh për pagat në sektorin publik.

Prezantimin e këtij Projektligji e ka bërë ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Vlera e koeficientit është në shumën 105 euro. Me Ligj është paraparë fleksibiliteti që Ministrisë së Financave t’i jepet mundësia të bëjë transferim nga një organizatë buxhetore në tjetrën. Ju ftoj që ta miratoni dhe të trajtohet edhe në procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mund t’i ekzekutojmë pagat këtë muaj”-ka thënë Murati.

Partitë opozitare kanë kritikuar koeficientin prej 105 euro dhe kanë propozuar vlerë tjetër të tij.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se përsërisin qëndrimin se koeficienti do të duhej të ishte 120 euro.

“Ne emër të PDK-së po e themi mendimin tonë për koeficientin. Procedurat kanë shkelje dhe mangësi si në strukturë edhe në përmbajtje. PDK ka dalë me qëndrim që koeficient do të duhej të jetë 120 euro. Në të kundërt do të kemi shkallë të lartë të pakënaqësive”- ka thënë ai.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se Ligji me këtë koeficient nuk është barazi.

“Koeficienti prej 105 euro është koeficient i uljes së pagave për një pjesë të konsiderueshme të zyrtarëve publikë. Zyrtarët e lartë me koeficient 7, 8 e 6 me Ligjin e ri dhe vlerën e koeficientit e kanë pagën e njëjtë me atë të muajit janar. Por paga e shefit të divizionit është rritur prej 170 euro dhe kjo nuk është barazi. Me ketë Ligj të pagave janë ulur pagat në universitetet publike të Kosovës. Ne kemi propozuar qe për 2023 koeficienti të jetë 125 euro”- ka thënë Bajrami.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se Qeveria nuk ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë.

“Ju nuk përcaktuat koeficientin si rezultat i debatit të gjerë dhe nuk morët parasysh vërejtjet e shoqërisë civile”- ka thënë Lekaj.

Pas miratimit në parim, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që me mocion procedural të përshpejtohen procedurat për miratimin në lexim të dytë të këtij Projektligji.

Kuvendi i Kosovës pritet të kthehet në ora 20:00 për të votuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.