Ministrja Vlora Dumoshi takon ambasadorin e OSBE-së, Jan Braathu

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu dhe këshilltarin e tij, Senad Saboviç.

MKRS përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ministrja Dumoshi ka falënderuar ambasadorin Braathu për tërë kontributin që ka dhënë OSBE-ja në Kosovë, e sidomos në fushat që mbulon MKRS-ja, ngase siç thuhet më tej në komunikatë, kjo përkrahje dhe bashkëpunim i saj me ministrinë kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në konkretizimin dhe realizimin e shumë projekteve të artistëve, të të rinjve e sportistëve.

Ndërsa, sipas komunikatës, ambasadori Braathu ka shprehur gatishmërinë që të punojnë bashkërisht në shumë fusha, ndër to trashëgimia kulturore, meqenëse OSBE-ja ka luajtur rol kyç në monitorimin dhe lehtësimin e zbatimit të legjislacionit.

“OSBE-ja ka dhënë kontributin e saj bashkëpunues në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore por dhe në fusha si angazhimi i të rinjve për ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, përmes shtysave dhe projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e vetëdijes, luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, ndërtimin e dialogut ndëretnik, u shpreh mes tjerash ambasadori”, ka potencuar ndër të tjera ambasadori Braathu, thuhet në komunikatë.