Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Ministrja Nagavci pohon se u.d. i drejtorit të Qendrës së Studentëve ka masë disiplinore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ditë më parë ka marrë vendim për shkarkimin e Fatmir Sfishtës nga pozita e drejtorit të Qendrës së Studentëve, Defrim Gashit nga detyra e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit dhe Nezir Çoçajt nga pozita e drejtorit të Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ushtrues detyre deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër në Institutin Pedagogjik të Kosovës është emëruar Ismet Potera, derisa në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës së Studentëve është caktuar Ekrem Rudari që deri më tani ka qenë drejtor i palestrës sportive “1 Tetori” .

Në emision ministrja pohoi se Rudari ka masë disiplinore.

“Unë pash sot që u hapën diskutime për një vendim për ushtruesin e detyrës që e kemi caktuar dhe menjëherë brenda ditës e kuptoj që ajo masë disiplinore është bërë ndaj një individi që ka qenë sinjalizues për pretendimet për shkelje…” – tha Nagavci.

Ajo tha se rasti i sinjalizimit ka qenë lidhur me një tender për klimatizim në Palestrën e Sportit në Qendrën e Studentëve.

“Në rastin konkret ne kemi pasur një sinjalizim se është hapur një tender për klimatizim në Palestrën e Sportit në Qendrën e Studentëve për të cilën kërkesa nuk ka ardhur nga njësia kërkuese. Me aq sa unë jam në njohuri nëse MASHTI për shembull e kemi të hapur tenderin për ndërtime, kërkesa vjen nga infrastruktura, e kemi të hapur tenderin për sintezën vokale, kërkesa vjen nga departamenti i gjithëpërfshirjes. Pra vijnë nga njësitë përkatëse. Në rastin konkret, ne kemi pasur sinjalizimin që është hapur një tender për të cilin njësia nuk ka qenë fare në linjë. Në momentin që ka pasur sinjalizim është shqyrtuar janë marrë organet e tjera, nuk është kompetencë dhe përgjegjësi e imja”-shpjegoi Nagavci.

Ajo këtë temë e konsideroi si tepër problematike.

“Ajo çka unë u informova është që gjegjësisht komisioni disiplinor ku është trajtuar një sinjalizim për dikë që ka pretenduar që ka pasur shkelje dhe është marrë një masë disiplinore unë kuptoj që në atë komision faktikisht janë tre anëtarë. Kryesuesi i komisionit ka ;pasur mendim ndryshe, pra nuk ka qenë për të marrë këtë masë disiplinore ndaj  drejtorit që ka qenë sinjalizues. Njëra nga anëtarët e komisionit ka qenë familjare e afërt e ish drejtorit, njëri ka pasur mendim kundër. Më është thënë dhe kjo duhet të dokumentohet ndërkohë. Pra po flasim për një situatë tepër problematike…”

Udhëheqësja e MASHTI-t gjithashtu u pyet se a kanë kërkuar certifikata që këta ushtrues detyre nuk janë në hetime, por Nagavci e mohoi këtë gjë.

“Jo, nuk kemi kërkuar certifikata që nuk janë në hetime sepse unë besoj që të gjithë ata që janë në hetime nuk do të duhej të ishin as në ato pozita në të cilat janë”- u përgjigj ajo.

Ministrja shpjegoi se MASHTI është kompetent sa i përket çështjes së emërimeve të drejtorit të Qendrës së Studentëve dhe drejtorit të Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Gjithashtu, ajo përmendi edhe çfarë baze duhet të kenë këta individë për t’i caktuar si ushtrues detyre.

“Obligimet kanë qenë që të jetë së paku në pozitën e drejtorit. Në rastin e Institutit Pedagogjik me sa jam në njohuri janë katër drejtorë ndërkaq në rastin e Qendrës së Studentëve janë drejtorë të konvikteve, të palestrës sportive e kështu me radhë”-tregoi Nagavci.

.