MInistrja Manastirliu tregon si i siguroi Shqipëria vaksinat dhe a do të furnizohet Kosova siç premtoi Edi Rama

Ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ka folur lidhur me mënyrën si i siguroi Shqipëria vaksinat kundër COVID-19.

Ajo në emisionin “Kallxo pernime” tha se Shqipëria ka filluar të punojë për sigurim të vaksinave që nga muajt korrik-gusht 2020 ku më pas është bërë edhe parapagim për to, duke mos pritur rrugët donatore.

“Shqipëria ka filluar të angazhohet herët për të siguruar vaksinat. Kemi filluar punën nga muajt korrik-gusht 2020 që të mund të sigurojmë doza të vaksinës për grupe të rrezikuara përmes COVAX, kemi garantuar që përmes këtij instrumenti të parapaguajmë doza për 1.140 vaksina. Në muajin nëntor qeveria ka vendosur që të parapaguajë, që të jetë në grupin e vendeve që vetëfinancohen. Ka disa grupe vendesh, ato me financim direkt, dhe ato që anagazhohen përmes donatorëve të ndryshëm”, ka thënë Manastirliu.

Ministrja tutje shtoi se kanë parapaguar 4 milionë dollarë për sigurim të vaksinave. Deri tani sipas saj janë  800 mijë doza të siguruara.

“Shqipëria ka parapaguar rreth 4 milionë dollarë për të siguruar vaksinën, që mundësonte futjen në proces, ata më pas kryejnë një proces prokurimi të tyrin, shikojnë sa vakisna kanë në dispozicion dhe aktualisht jemi njoftuar që në dritaren e parë ne do të përfitojmë vaksina të AstraZenecas, ndërkohë përpos COVAX, qeveria e Shqipërisë arriti të sigurojë një marrëveshje direkte me kompaninë Pfizer. Në fund të vitit të kaluar kemi bërë të gjitha procedurat dhe deri tani arritur mbi 30 mijë vaksina të Pfizer nga kontrata që është për 500 mijë doza. Në total deri tani kemi siguruar vaksinimin për 800 mijë qytetarë. Këto doza i kemi siguruar përmes një marrëveshje zyrtare qeveritare e cila është kthyer në ligj të miratuar nga parlamenti, ku pas negociatave me kompaninë është miratuar sasia prej rreth 500 mijë vaksinave,” shtoi tutje Manastirliu.

Lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se do sjellë vaksina edhe në Kosovë, Manastirliu tha se premtimi është ende i hapur. Ajo shtoi se për momentin kanë në dispozicion 100 doza për mjekë dhe infermierë të Kosovës të cilët duhet të shkojnë në Shqipëri nëse duan t’i marrin.

“Premtimi për vaksina për mjekët në Kosovë është ende i hapur unë kam qenë në komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë. Ftesa jonë është e hapur që mjekët në vijën e parë të mund të vijnë dhe të kryejnë vaksinimin. Ata mund të vijnë kur të munden. Do të jenë 100 mjekë dhe infermierë të vijës së parë, kjo është faza e parë. kurse fazat tjera do jenë sipas ardhjes së vaksinave,” tha Manastirliu.

Pjesë e këtij emsioni është edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili foli për vonesën e ardhjes së vaksinave në Kosovë dhe situatën me rritjen e rasteve te COVID-19.