Ministrja Gërvalla reagon për çështjen e largimit të ambasadorit gjerman nga Kosova

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas raportimeve se ka kërkuar nga Gjermania që ta largojë nga Kosova ambasadorin aktual të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas saj, ky pretendim është i pavërtetë dhe absurd.

“Pretendimi që kinse paskam kërkuar largimin e ambasadorit gjerman Rohde është sa i pavërtetë, aq edhe absurd. Është në vazhdën e fushatave dhe sulmeve të përditshme ndaj meje dhe institucionit që drejtoj. Nuk duhet të befasohemi kur të lexojmë që kam kërkuar edhe shkarkimin e Kancelarit Scholz dhe Ministres së Jashtme Baerbock. Marrëzia nuk paska fund”- ka shkruar ajo në Facebook.

Në media dje kanë qarkulluar lajme se Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Gjermania që ta largojë nga Kosova ambasadorin Jorn Rohde.

KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, por të njëjtit nuk e kanë komentuar këtë çështje.

“Ne nuk i komentojmë këto raporte”- ka thënë për KALLXO.com, Christian Böttcher nga zyra për komunikim në ambasadën gjermane.

Diplomati gjerman, Jorn Rohde e udhëheq Ambasadën gjermane në Kosovë prej korrikut të vitit 2020.

Rohde që nga vitet 1990 ka mbajtur pozita të ndryshme në politiken e jashtme të Gjermanisë, kryesisht në shtetet aziatike. Gjatë viteve  91’-93’ ai kishte shërbyer si atashe kulturor në Ambasadën Gjermane në Xhakarta, ndërsa para kësaj ai kishte qenë pjesë e tavolinës së Azisë Jugore në cilësinë e oficerit të Zyrës së Jashtme Federale.

Në vitet 2000 Rohde ka qenë pjesë e Konsullatës Gjermane në Japoni duke mbajtur pozitën e zëvendës Konsullit të Përgjithshëm në atë kohë. Jörn Rohde pas përfundimit të misionit diplomatik në Japoni kishte marrë pozitën e këshilltarit të Punëve të Jashtme për të vazhduar si Zëvendës Shef i Njësisë për Kabinet dhe Zyrë të Jashtme të Çështjeve Parlamentare Federale, 2002-2006.

Rohde ka qenë pjesë e misioneve të ndryshme diplomatike, si në Otava të Kanadasë e në Bangalore të Karantakës.

Ndërsa që nga viti 2016 deri ne 2020, ai ka shërbyer si ambasador në Sri Lanka dhe Maldive.