Ministrja Bajrami në Gjilan: Testi i Maturës do të mbahet sipas rekomandimeve të IKShPK

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, sot ka vizituar Komunën  e Gjilanit ku është njoftuar për zhvillimin e mësimit online.

Ajo atje u prit nga kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri dhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica e njoftoi Bajramin për zhvillimin e një platforme nga kjo komunë për mësimin nga distanca.

“Pas vendimit të ndërprerjes së mësimit më koordinim ne kemi krijuar një grup punues dhe në n0jë afat rekord kemi krijuar platformën mësojmëngashtëpia.com dhe me datën 17 kemi filluar mësimin në të gjitha nivelet dhe në të gjitha komunitetet”, tha ai.

Kurse, ministrja Bajrami tha se ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me Komunën e Gjilanit për mësimin nga distanca, duke shtuar që komunat e tjera ta marrin shembull këtë komunë për këtë çështje.

Bajrami po ashtu shtoi se pavarësisht se disa maturantë kanë kërkuar anulimin e Testit të Maturës, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, që sipas saj, është në të mirën e tyre.

“Jemi në fazën e testit të arritshmërisë dhe testit të maturës. Disa prej nxënësve kanë pasur kërkesë, por në konsultim me ekspertët dhe IShKPK, kemi ardhur në përfundim që më mirë të organizohet më i thjeshtësuar sepse kjo do të kishte pasoje në karrierën e tyre akademike”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri tha se Gjilani është komunë e veçantë, pasi sipas tij, zhvillohet mësimi në katër gjuhë.

“Nga shtatori do të mundohemi të bëjmë reforma në arsim, në administratën e arsimit, ku arsimtarët, nxënësit dhe prindërit të kenë fjalën kryesore në zgjedhje dhe jo çelësat politik”, tha Haziri.

Mësim online në Kosovë është duke mbajtur të gjitha nivelet e arsimit, ku për nivelin 1-9 MAShTI ka përgatitur video-ligjërata që janë duke u transmetuar në RTK. KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Kurse, shkollat e mesme dhe fakultetet janë duke mbajtur mësim online sipas instruksioneve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Deri tek mbyllja e instituticioneve të arsimit erdhi për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend.

Kurse, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka vendosur që matura shtetërore për këtë vit të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020.

Ministrja e Arsimit ndryshon përbërjen e Komisionit Shtetëror të Maturës