Ministrja e Arsimit ndryshon përbërjen e Komisionit Shtetëror të Maturës

Me ardhjen e Qeverisë së re, u ndryshua edhe përbërja e Komisionit Shtetëror të Maturës.

Në këtë komision, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka emëruar 12 anëtarët e ri dhe ka shkarkuar anëtarët e kaluar që ishin emëruar nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi.

Anëtarë e rinj të këtij komisioni janë : Kryetar, zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi dhe anëtarët, këshilltari i saj, Ermal Lubishtani, Birsen Shufta, Fatmir Elezi, Aliriza Arënliu, Blerim Saqipi, Fatlume Berisha, Lendita Pula, Besim Avdimetaj, Azem Jaha, Lumnije Tahiri dhe Ymret Reshiti.

Ky komision është zgjedhur me mandat tre vjeçar.

Me këtë vendim po ashtu është shfuqizuar vendimi i ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për anëtarë të këtij komisioni, i datës 9 shkurt 2018 e që kishte mandat 3 vjeçar.

Anëtar në këtë komision ishin: Fehmi Hysenaj, Arben Dermaku, Agim Bërdyna, Mustafë Kadriu, Arsim Ejupi, Ajka Alili, Besim Gollopeni, Lendita Pula, Majlinda Hoxha, Hilmi Retkoceri, Musa Nikçi dhe Sahit Berisha.

Për këtë shkarkim, kryetari i komisionit të kaluar të Maturës, Fehmi Hysenaj tha për KALLXO.com se është vendim i padrejtë.

“Realisht shkarkimi im është gjë normale, por nuk është normale që të largohen pjesa profesionistëve. Ata kanë pasur mandat edhe 1 vit dhe është dashur të vazhdojnë sepse kanë punuar mjaftë mirë dhe është e padrejtë t’u ndërpritet mandati”, ka thënë Hysenaj.

Ai beson se vendimet që janë bërë gjatë mandatit të tij, do të mbeten në fuqi dhe do të merren parasysh nga komisioni i ri.

“Ky vendim nuk mundet t’i zbehë sukseset që i kemi bo si këshill. Ne si komision i kaluar i kemi bë disa mënyra apo vendime se si do të mbahet testi, dhe besoj që ato rekomandime do të merren parasysh dhe do të zbatohen”, ka deklaruar Hysenaj për KALLXO.com.

Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM), është organ vendimmarrës, mbikëqyrës, organizativ, vlerësues, analizues dhe këshillues për maturën.

Sipas Ligjit për Provimin e Maturës Shtetërore, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij komisioni janë:

1. miraton listën e anëtarëve të komisioneve të lëndëve për përpilimin e kërkesave për provimin shtetëror të maturës me propozimin e DVSM.

1.2. miraton planin e punës për organizimin e provimit të maturës për vitin vijues të hartuar nga DVSM, më së largu deri më 31 gusht.

1.3. merr opinionet nga komuniteti për mbarëvajtjen e procesit të vlerësimit dhe mbi këto opinione nxjerr udhëzime për subjektet në procesin e provimit të matures.

1.4. miraton katalogun dhe bën harmonizimin e lëndëve për provimin e maturës, në përputhje me planprogramet mësimore sipas drejtimeve respektivisht profileve, me propozimin e DVSM.

1.5. publikon rezultatet e testit me MAShT.

1.6. përcakton standardet për administrim të provimit të maturës shtetërore.

1.7. miraton testet e hartuara nga DVSM.

Me ardhjen e Qeverisë së re janë shkarkuar edhe disa borde të ndërrmarjeve publike, përfshirë Bordin e Telekomit të Kosovës, Infrakosit dhe Trepçës.