Një mjek - Foto: REL/Shutterstock

Ministria e Shëndetësisë: Transferimi i 820 mijë eurove nuk prek pagat e specializantëve vullnetarë

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë sqarime në lidhje me vendimin e sotëm të Qeverisë për bartjen e 820 mijë eurove për shfrytëzim në luftën kundër COVID-19.

Sipas Ministrisë, këto mjete të cilat do të barten nuk do t’i prekin pagat e mjekëve specializantë vullnetarë.

Por se ato do të barten nga pjesa e mjeteve në vlerë prej 820,000 euro, e cila ka qenë e planifikuar për kontraktime sociale për mbështetje të OJQ-ve për projektet TBC, HIV-AIDS ku nga CDF edhe për këtë vit është marrë zotimi që këto projekte të vazhdojnë të financohen nga CDF.

Sipas Ministrisë këto mjete nuk do të mund të shfrytëzohen këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ndërlidhur me vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për transferimin e mjeteve në shumë prej 820 000 euro nga nën-programi Aftësimi Specialistik dhe EVM me kod 90300 nga kategoria e shpenzimeve e subvencioneve dhe transferimin e tyre në nën-programin Shërbimet përkatëse farmaceutike me kod 71 300 euro në kategorinë e shpenzimeve të mallrave dhe shërbimeve për shfrytëzimin e tyre për luftimin e pandemisë Cobisd 19; Ministria e Shëndetësisë informon publikun se transferimi i kërkuar nuk prek pagat e Specializantëve vullnetarë, të cilët financohen/marrin rrogë nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve programi 90300 Aftësimi Specialistik (vetëm emri i programit), të cilët financohen në përputhje me Udhëzimin Administrativ respektiv. Mjetet e planifikuara për këtë vit në subvencione dhe transfere janë në bazë të Ligjit për ndarje Buxhetore 2020 dhe janë 3,313,805.00 euro të cilat  ndër të tjera përfshijnë pagat e Specializantëve vullnetarë, projekte e tjera të planifikuara në bazë të Ligjit të Buxhetit dhe, gjithashtu, edhe Kontraktimet Sociale”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë përmes komunikatës ka thënë se pagat specializantëve vullnetarë përveç që janë të paprekshme, për to është paraparë edhe rritja nëse Ligji për pagat hyn në fuqi.

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që transferojë nga kategoritë brenda Ministrisë 820 mijë euro në luftën kundër COVID-19.