Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë demanton lajmin se në Kosovë vdiqen 12 foshnje nga mungesa e oksigjenit

Ministria e Shëndetësisë përmes një sqarimi ka demantuar raportimin e medias “Banjaluka24.com” dhe disa mediave tjera serbe, për kinse vdekjen e 12 foshnjave në Kosovë për shkak të mungesës së oksigjenit.

“Ministria e Shëndetësisë reagon ndaj lajmit me titull “12 foshnje kanë vdekur në Kosovë! Nuk ka Oksigjen, Katastrofe humanitare në punë”, i riprodukuar në disa portale serbe. Njoftojmë opinionin publik se këto pretendime janë të pa qëndrueshme dhe pa bazë, sepse çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga Komisioni i Donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar”- thuhet në reagim.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se përkundër mbylljes së përkohshme të pikave kufitare me Serbinë edhe më herët dhe tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, kanë bërë përjashtim.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë dhe vijon të jetë e gatshme në çdo kohë për furnizim dhe çfarëdo mbështetje tjetër që mund të kërkohet nga Institucionet shëndetësore të shtrira në të gjithë vendin pa përjashtim. Deri më tani,  MSh nuk ka pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike nga asnjë institucion shëndetësore, siç pretendohet në artikullin e gazetës online “Banjaluka24.com”- ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në reagim.