Foto: MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme pritet t’i shpenzojë edhe 300 mijë euro në vetura në vitin që vjen

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të projekteve kapitale edhe për vitin ardhshëm, nuk pritet të ketë investime të reja mirëpo vazhdimësi të investimeve nga viti paraprak.

Në draft-buxhetin për vitin 2021 thuhet se MPJD shpenzimet deri në fund të 2020-ës, për vetura për administratë do ta kenë vlerën e 170,360 euro ndërsa do të vazhdohet edhe për vitin që vjen me investim edhe 150,000 euro.

Tutje të dhënat në draft-buxhet thonë se do të vazhdohet të investohet edhe në vetura për ambasadat e Kosovës. Shpenzimet deri me 2020, sipas këtij projektligji, janë në vlerën e mbi 2.4 milionë euro ndërsa si vazhdimësi nga 2020-ta, në vitin e ardhshëm pritet të shpenzohen edhe 300,000 euro.

Gjithnjë sipas  Projektligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2021, i cili është ende draft, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shpenzimet e përgjithshme për investimet kapitale deri në fund të këtij viti do të ketë mbi 7.2 milionë euro ndërsa nga 2020-ta do të vazhdohen projektet në vlerën e mbi 3 milionë euro ndërsa nuk ka të evidentuara në këtë projektligj ndonjë projekt të ri kapital për vitin 2021.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.

Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.

“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifinancojmë 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.

Ministria e Punëve të Jashtme: BMW-të janë blerë në kohën kur Ministria udhëhiqej nga Behgjet Pacolli