Parashihet rritje e borxhit të përgjithshëm të Kosovës në vitin 2022

2 miliardë e 748 milionë euro është parashikuar që të jetë buxheti i Kosovës për vitin 2022.

Sipas buxhetit të miratuar në mbledhjen e Qeverisë, e i cili pritet ta marrë dritën e gjelbër në Kuvendin e Kosovës, të hyrat buxhetore për vitin 2022 parashihet të jenë 2 miliardë e 364 milionë euro.

Ndërsa shpenzimet buxhetore për vitin 2022 parashihet të jenë 2 miliardë e 748 milionë euro, apo 384 milionë euro më shumë se sa të hyrat.

Shpenzimet prej 384 milionë eurove pritet të mbulohen nga financimi i jashtëm, ku përfshihen financimi i drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe një pjesë tjetër nga financimi i brendshëm.

Shpenzimet buxhetore totale në vitin 2022 priten të kenë rritje prej 8.7%, në krahasim me buxhetin e rishikuar për vitin 2021.

Si rrjedhojë e rritjes së financimit të shtuar për shpenzimet që rrjedhin nga pakoja e ringjalljes ekonomike, si dhe ruajtjes së pjesëmarrjes së lartë të shpenzimeve kapitale, deficiti i përgjithshëm buxhetor për vitin 2022 pritet të jetë 244.6 milionë euro, apo rreth 2.9% e Bruto Produktit Vendor (BPV).

Në vitet pasardhëse (2023 dhe 2024), deficiti buxhetor pritet gradualisht të ulet në 1.8 % në vitin 2023, ndërsa në vitin 2024 deficiti buxhetor pritet të jetë 0.8%. Ndërsa, bilanci i shfrytëzueshëm bankar pritet të jetë 4.9% e BPV-së në 2022, rreth 4.4 % e BPV-së në 2023 dhe 4.6% në 2024.

Borxhi i përgjithshëm duke përfshirë edhe garancionet shtetërore pritet të arrijë 26.9% në 2022, 28.5% në 2023 dhe 29.8% në 2024.

Në vitin 2021, borxhi i përgjithshëm kap vlerën e mbi 2 miliardë eurove (2,055,760,000) ndërsa në vitin 2022, boxhi i përgjithshëm pritet të jetë mbi 2.2 miliardë euro (2,269,350,000).

Borxhi i përgjithshëm, përbëhet nga borxhi i brendshëm dhe borxhi ndërkombëtar. Borxhi e brendshëm i nënshtrohet juridiksionit vendor, ndërsa ai ndërkombëtar, mund t’i nënshtrohet juridiksionit të jashtëm.

Përgjatë periudhës pesëvjeçare nga 2016 deri 2020, të dhënat pasqyrojnë një rritje të borxhit publik. Në vitin 2016, regjistrohet borxh publik më i ulët respektivisht 852.74 milionë euro ndërsa ai më i lartë është i vitit 2020, prej 1.487 miliard euro.