Ministria e Punëve të Jashtme: BMW-të janë blerë në kohën kur Ministria udhëhiqej nga Behgjet Pacolli

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka thënë se kontrata për blerjen e tri veturave BMW është nënshkruar më 14 qershor të vitit 2019 ndërmjet BMW AG Munchen dhe Ambasadës së Kosovës në Berlin, kur Ministria drejtohej nga ish-ministri Behgjet Pacolli.

Sipas njoftimit të Ministrisë, veturat janë sjellë në Kosovë në dhjetor të vitit 2019 dhe kanë qenë gjithmonë brenda objekteve të MPJD-së, dhe për përdorimin e tyre është vendosur varësisht nga nevoja.

“Asnjë nga pretendimet e plasuara në medie, qoftë për kohën e blerjes, që spekulohet se ka ndodhur gjatë pandemisë, qoftë për çmimin e blerjes, që po ashtu spekulohet për shuma astronomike, nuk qëndrojnë”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, procedura (e negociuar) për blerjen e tri veturave të markës BMW, ka nisur më 24 maj 2019, në pajtim me ligjet në fuqi, në akordancë të plotë me Ligjin e prokurimit publik për blerje të tilla.

Bazuar në njoftim, procedurat kanë nisur pas kërkesës që është shprehur nga departamentet përkatëse të Ministrisë, të cilat kanë konsideruar se pritja e delegacioneve të huaja qeveritare të cilat vizitojnë Kosovën duhet të bëhet në mënyrë dinjitoze, pasi kjo tregon edhe përshtypjet e para dhe imazhin e vendit të ri.

“Për dijeninë tuaj, kompanitë e markave të njohura të veturave, siç është BMW, ofrojnë gjithmonë çmime jashtë konkurrencës për misionet diplomatike, pasi këtë e konsiderojnë edhe si marketing dhe imazh të mirë për kompaninë” shkruhet në njoftim.