Murati: Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është rritur për shkak të borxheve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezentuar para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në parim Projektligjn mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Ky projektligj sipas deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, “lë shumë për të dëshiruar”.

Lushtaku tha e Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte qenë kundër shfrytëzimit të parasë në ndërtimin e rrugëve tani ka rritur buxhetin për Ministrinë e Infrastrukturës.

“Ky projektligj lë shumë për të dëshiruar sipas meje. Prej se jeni ju në qeveri ka rritje të borxhit publik. Rritja e buxhetit për infrastrukturë, ju keni thënë se nuk keni para për asfalt por po e rritni këtë buxhet ndërsa keni zvogëluar buxhetin për shëndetësi”, tha ai.

Ndërkaq ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti për këtë ministri është rritur për shkak të borxheve nga qeveritë e kaluara.

“Janë lënë nga ju 50 milionë euro borxhe për këtë është rritur buxheti për Ministrinë e Infrastrukturës, po i paguajmë borxhet që i keni lënë ju”, theksoi Hekuran Murati.