Foto: Kadetet/FSK

Ministria e Mbrojtjes nënshkruan kontratë mbi 1 milion euro për shkollimin e rreth 76 kadetëve të FSK-së

Rreth 76 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës shkollimin e tyre do ta bëjnë në Universitetin Amerikan në Kosovë, pasi për shkollimin e tyre, Ministria e Mbrojtjes tashmë ka nënshkruar kontratë në vlerë 1,025,068 euro.

Kontrata e nënshkruar me Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo (A.U.K) College” ka një kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Për këtë aktivitet të prokurimit u përdor procedura e negociuar, me kriter për dhënie të kontratës çmimin më të ulët.

Sipas kërkesave këtij tenderi parashihet shkollimi në kohëzgjatje 3 vite për rreth 76 kadetë të FSK-së. Në këtë shkollim gjithashtu parashihen edhe tekstet shkollore e shërbime të teknologjisë si dhe teste.

Së fundmi Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkus për pranimin e 612 ushtarë të rinj aktivë dhe 367 ushtarë të komponentës rezervë.

Të drejtë të aplikimit do të kenë të gjithë të rinjtë e të rejat nga mosha 18-25 vjeç.

Konkursi do të jetë i hapur një muaj, nga 15 dhjetor 2022 deri më 15 janar 2023.