Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Elvir Azizi, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj Foto: Ministria e Shëndetësisë

Ministri Vitia premton investime të reja në Gjinekologji

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka premtuar investime në infrastrukturë dhe në përmirësimin e kushteve për pacientet në Klinikën e Gjinekologjisë.

Këtë premtim Vitia e dha gjatë një vizite sot në Gjinekologji, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Elvir Azizi.

Vitia tha se deri në fund të vitit do të përfundohen procedurat për të ofruar shërbimin e fekondimit të asistuar mjekësor (FAM).

Ai tha se shëndeti i nënës dhe fëmijës do të jetë “bosht i prioritetit” në shëndetësi dhe foli për mjekësinë fetale.

“Tani e tutje, me trajnimet, donacionet dhe investimet që do t’i bëjmë edhe ne si MSh por edhe ShSKUK, njësia e Mjekësisë Fetale si pjesë shumë e rëndësishme për shëndetin e nënës dhe fëmijës do te jetë në një stad tjetër. Kjo do të ndikojë dukshëm në detektimin e hershëm të patologjive të ndryshme te foshnjat gjatë periudhës së shtatzënisë së nënës” – tha ministri Vitia.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, e informoi ministrin Vitia se në këtë Klinikë kanë arritur dy pajisje mjekësore, ultratinguj në vlerë të rreth 150 mijë euro, donacion nga Fondi për Mjekësi Fetale me seli në Londër.

Sipas njoftimit të MSH-së, ky program u bë i mundur pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë dhe Fondacionin për “Programin e Mjekësisë Fetale për periudhën 2022 – 2025”.

“Përgjatë kësaj kohe janë zhvilluar trajnimet praktike në baza ditore në kuadër të programit njëvjeçar në Obstetrikë – Ekografi dhe Mjekësi Fetale si subspecializim apo profil i ngushtë. Respektivisht, janë organizuar trajnimet për rastet kur një grua ose foshnja e pa lindur mund të kërkojë kujdes të specializuar për të arritur rezultate më të mira për shëndetin e nënës dhe fëmijës” – përfundon njoftimi.