Ministri Veliu kërkon që të mbyllen shkollat që punojnë me plan-program të Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, ka mbajtur sot një takim koordinues me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, për të ndërmarrë të gjitha veprimet që kanë dalë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat parandaluese të Corona Virus COVID-19.

Ministri Veliu ka kërkuar që të gjitha shkollat që punojnë me plan-program të Serbisë në Kosovë të mbyllen sipas vendimit të djeshëm të qeverisë.

“Më këtë rast ministri Veliu ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas këtij vendimi, dhe ka kërkuar në veçanti që të gjitha shkollat që veprojnë në veri të Kosovës dhe që punojnë me plan-programe të Serbisë të mbyllen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu ministri Veliu ka vënë në funksion të gjitha mekanizmat e sigurisë që veprojnë në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të jenë në gatishmëri të plotë për çfarëdo nevoje në menaxhimin e pandemisë që ka përfshirë shumë vende të botës.

Në këtë takim është kërkuar  nga qytetarët e Kosovës që të kenë maturi, të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin me kujdes të gjitha udhëzimet që dalin nga institucionet e vendit, sepse vetëm kështu të gjithë së bashku do të tejkalojmë këtë situatë.

Ndonëse në Kosovë nuk ka ndonjë rast të prekjes nga ky virus, Qeveria e Kosovës dje ka marrë një sërë masash parandaluese duke përfshirë edhe mbylljen e shkollave deri më 27 mars.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës: Mbyllen shkollat deri më 27 mars