Ministri reagon pas dorëheqjeve të 5 anëtarëve të KShC-së

Ramë Likaj, Ministër në detyrë i Arsimit dhe Shkencës ka reaguar pas dorëheqjeve të 5 anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Likaj përmes një reagimi tha se është befasuar nga këto dorëheqje dhe se nuk ka qenë në dijeni për arsyet.

“Më lejoni të theksoj se unë si Ministër jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse këto arsye do t’i ishin prezantuar, do të angazhohej  në gjetjen e zgjidhjeve “për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata”.

“Së fundmi, unë dua t’iu garantoj të gjithëve se do të mbetem i përkushtuar për të siguruar pavarësinë e vendimmarrjes së institucioneve të pavarura brenda sektorit që drejtoj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj të minimozohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë e arsimit tonë”, ka shtuar Likaj.

KALLXO.com dje raportoi se kryetari, nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë dhënë dorëheqje nga ky bord.

Siç kishte marrë vesh KALLXO.com, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, kurse anëtarët vendorë për arsye të tjera.

Dorëheqjen e anëtarëve vendor, organizata ORCA e cilësuar si të panevojshme, kurse ka theksuar se respekton dorëheqjet e anëtarëve ndërkombëtarë për mos deklarim të pasurisë, por sipas tyre ligjet duhen respektuar për të gjithë njëjtë.

Ky është reagimi i plotë i tij;

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe të Institucioneve të Arsimit të Lartë,
Të nderuar Ambasadorë të vendeve mike,
Ministria e Arsimit dhe Shkencës po monitoron nga afër situatën e krijuar së fundmi, pas dorëheqjes së pesë anëtarëve (dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë) të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
E ndjej si obligim të ofroj këndvështrimin tim dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës lidhur me këto dorëheqje.
Si Ministër u emërova në qershor të vitit 2020 dhe që nga emërimi im ne si MASh kemi siguruar mbështetjen e plotë për punën e pavarur të AKA-së dhe jemi përpjekur të sigurohemi që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në funksionimin e AKA-së, përfshirë këtu edhe punën e KSHC-së.
Ne kemi ndërmarrë disa veprime për të siguruar atë mbështetje dhe pavarësi për AKA-në, ndër to:
-Themelimi i Komisionit të Ankesave të AKA-së (tashmë operacional dhe funksional);
– Procedurat intensive për zhvillimin dhe finalizimin e ligjit të ri për AKA-në (drafti përfundimtar veçse ka dalë për konsultim paraprak publik);
-Kemi mbështetur zhvillimin e Strategjisë së AKA-së (procesi është në vazhdimësi). Për më tepër, aktualisht me Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e Kryeministrit ne po punojmë ngushtë për të siguruar ambiente të reja dhe rekrutimin e stafit të ri për AKA-në në mënyrë që të sigurohemi që shërbimet që ofrohen nga AKA-ja të jenë cilësore.
Të gjitha këto, ne i kemi bërë me qëllimin më të mirë, që AKA të kthehet atje ku i takon (anëtarësimi në ENQA) dhe për të mundësuar që ajo të punojë në pavarësi të plotë dhe në përputhje me ESG-të për sigurimin e cilësisë (veçojmë pikën 3.3 Pavarësia: Agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome. Ato duhet të kenë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe rezultatet e këtyre veprimeve pa ndikimin e palëve të treta).
Më lejoni të theksoj se, unë si Ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata.
Së fundmi, unë dua t’iu garantoj të gjithëve se do të mbetem i përkushtuar për të siguruar pavarësinë e vendimmarrjes së institucioneve të pavarura brenda sektorit që drejtoj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj të minimozohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë e arsimit tonë.
Ramë Likaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës