Japin dorëheqje 5 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë
Kryetari, Nënkryetarja dhe tre anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë kanë dhënë dorëheqje nga ky këshill.
Sipas burimeve të KALLXO.com, Gazmend Luboteni, Vjollca Krasniqi, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo kanë dhënë dorëheqje sot.
Në këtë situatë, KShC mbetet jofunksional, vetëm me 4 anëtarë.
Siç merr vesh KALLXO.com, anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje pasi nuk kanë pranuar të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, ndërsa dorëheqja e anëtarëve vendorë është bërë për arsye të tjera.
Po ashtu, KALLXO.com merr vesh se këtyre anëtarëve nuk i është kërkuar deklarimi i pasurisë që nga viti 2018 kur ishin emëruar në këto pozita nga Kuvendi i Kosovës dhe deklarimi nuk është bërë.
Lidhur me këtë ka folur Agjencia Kundër Korrupsion për KALLXO.com.
“Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar njoftimin nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në vitin 2020 që në mesin e zyrtarëve të lartë nga Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë tre zyrtarë ndërkombëtar të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e rregullt të pasurisë, por të njëjtën informatë AKK nuk e ka poseduar në vitin paraprak”, është bërë e ditur.
Sipas AKK-së zyrtarët në fjalë nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë dhe lidhur me këtë rast Agjencia kundër Korrupsionit ka ndërmarrë veprimet konform kompetencave ligjore të AKK-së.
Në një letërkëmbim ndërmjet anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit të KSHC-së dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilin e posedon KALLXO.com,anëtarët ndërkombëtarë kanë dhënë arsyet e tyre pse nuk duhet të deklarojnë pasurinë e fituar në vendet e origjinës.
Në përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se të gjithë zyrtarët e lartë publik në Kosovë janë të obliguar që të deklarojnë pasurinë e tyre.
Burimet e KALLXO.com kanë informuar se lënda e tre anëtarëve ndërkombëtarë të KSHC-së është dërguar në Prokurorinë e Kosovës.
Japin dorëheqje anëtarët ndërkombëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë