Ministri Latifi: Asnjë rast me Omicron në Kosovë

Mostrat pozitive të COVID-19 të dërguara në Gjermani për testim për variantin Omicron kanë rezultuar negative.

Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në televizionin publik.

“Do të ishte fatkeqësi e madhe nëse i lirojmë ne masat tërësisht dhe mendojmë se ne s’kemi Omicron këtu dhe s’kemi sëmundje të COVID-19. Nga mostrat e dërguara më 20 dhjetor ne nuk e kemi asnjë Omicron. Ky është lajm që unë e kam marrë sot pasdite”, ka deklaruar Latifi.

Ministri Latifi foli edhe për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, ku tha se është bërë ajo që ka qenë e mundur.

“Unë mendoj se ministri Vitia pavarësisht në cilën qeveri ka qenë, Kurti 1 apo Kurti 2, Ministria e Shëndetësisë dhe Kosova kanë bërë më të mirën që kanë mund ta bëjnë me mjetet që i kanë pasur afër vetes, dhe informatat afër vetes”, shtoi ai.

Kosova ende nuk ka arritur të testojë variantet e COVID-19 në vend.

Mostra pozitive të COVID-19 dërgohen çdo dy javë në një laborator në Gjermani për testim.