Ministri i Tregtisë: U kërcënova me jetë nga Burim Rreci

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi është kërcënuar me jetë. Krasniqi ka deklaruar se është kërcënuar nga sekretari i kësaj ministrie, Burim Rreci.

Në një bisedë në telefon, ministri Krasniqi thotë se ka marrë kërcënim me jetë.

“Jam me këta hetues tani. Jam kërcënuar prej Burim Rrecit. Jam kërcënuar me jetë, jam kërcënuar”, ka thënë shkurt ministri Krasniqi.

Në anën tjetër KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Rreci, por ai ka qenë i paqasshëm në telefon.

Kujtojmë se dy ditë më parë Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Burim Rreci, është suspenduar pas një dite që u rikthye në këtë pozitë me vendim të ministrit, Vesel Krasniqi.

Risuspendimin e tij e kishte konfirmuar vetë Rreci për KALLXO.com

Rreci deklaruar se suspendimi i tij u bë jashtëligjshëm dhe ka lajmëruar kallëzim në Prokurorinë Speciale.