Në qeveri prezantohet strategjia për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në një konferencë për media ka prezantuar “Strategjinë për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030 si dhe planin e veprimit 2023-2025.

Hajdari tha se më anë të kësaj strategjie synohet mbështetja e sektorit të prodhimit dhe shndërrimi i Kosovës në një industri të integruar globalisht.

“Në analizat e përgjithshme që kemi pasur për performancën industriale në sektore të ndryshme, kemi kuptuar se ndonëse resurset njerëzore kanë kompetencën e prodhimit dhe ndërmarrësit tanë janë të aftë të prodhojnë- gjatë dekadës së kaluar sektori i prodhimit nuk ka arritur të shndërrohet në një shtytës të dominant të zhvillimit social, ekonomik e mjedisor”- ka thënë Hajdari.

Sipas saj, zhvillimi industrial ka potencialin të bëhet forcë e rëndësishme lëvizëse për transformim e synuar të Kosovës.

Ministrja tha se për arritje të këtij qëllimi do merren masa e objektiva që tashmë janë pjesë e strategjisë.

“Strategjia është e fokusuar në pesë objektiva: Zgjerimi i prodhimit industrial, zvogëlimi i deficitit tregtar industrial, gjenerimi i punësimit më të mirë, lehtësimi i industrisë së gjelbër dhe maksimizmimi i rritjes së vlerës së brendshme- rritjes së vlerës së resurseve natyrore si minierat, pyjet”- shtoi tutje ajo,

Derisa, Valbona Dushi e cila edhe ka udhëhequr këtë grup ka elaboruar këtë plan të qeverisë duke theksuar edhe analizat krahasuese që janë bërë me vende të rajonit e shtete model që kanë për arritje të qëllimit.

Sipas saj, Kosova qëndron shumë më poshtë mesatares në krahasim me vendet e rajonit në industrinë prodhuese.

“Strategjia 2023-2025 ka fokus tek industria prodhuese, përpunuese si dhe ajo shërbyese. Me disa analiza kemi bërë edhe krahasime me 6 vendet e rajonit dhe me dy shtete model të synuara- Slloveninë dhe Estoninë. Në krahasim me vendet e rajonit, eksporti në Kosovë është në nivel të ulët, pra 22% eksporti në bruto produkin vendor, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit që është 35%”- ka thënë ajo.

Kurse, Sllovendia dhe Estonia, sipas saj, e kanë 70%.

Dushi potencoi se edhe punësimi është shumë i ulët tek industria prodhuese, sidomos gratë.

“Vetëm 12% është punësimi në industrinë prodhuese, me gra pjesëmarrëse vetëm 16%, ku në Ballkan mesatarja është 30%”- shtoi tutje ajo.