Ministri Agim Veliu: Është ngritur niveli i gatishmërisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në mbledhjen e sotme të qeverisë ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka vendosur në dispozicion të gjitha mjetet dhe është ngritur niveli i gatishmërisë.

“Policia e Kosovës ka inkorporuar në planin e saj edhe rrezikun nga sulmet terroriste, krahas planit për pandeminë. Policia ka vendosë në dispozicion të gjitha mjete, për të iu përgjigjur çdo situate dhe është ngritur niveli i gatishmërisë.”, ka thënë Veliu.

Ai gjithashtu ka ftuar qytetarët e Kosovës të kalojnë bashkë këtë sfidë.

“Ftojmë qytetarët të kalojmë bashkë edhe këtë sfidë, sepse nuk kemi dyshim që UÇĶ ja ka mbrojtur vlerat më sublime të popullit shqiptar.”, është shprehur ai.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është dërguar në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, dje u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-drejtori i shërbimit informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, pas aktakuzave ndaj tyre që u konfirmuan nga Gjykata Speciale.