Asnjëri kandidat s'i mori votat e nevojshme, Universiteti i Gjakovës rishpall konkursin për rektor

Universiteti i Gjakovës ‘Fehmi Agani’ ka marrë vendim që të rishpallë thirrjen për zgjedhjen e rektorit pasi në procesin e sotëm të intervistimit dhe votimit nga anëtarët e këshillit asnjë nga katër kandidatët nuk arriti të marrë shumicën e votave.

Në intervistë ishin ftuar katër kandidatë për pozitën e rektorit: Prof.Ass.Dr. Drilon Bunjaku, Prof. Asoc.Dr. Haxhi Kamberi, Prof.Asoc.Dr. Kimete Canaj, dhe Prof.Asoc.Dr. Rifat Morina, me të cilët u zhvillua intervista sipas agjendës së paraparë, ku kandidatët shpalosën programin-vizionin e tyre për UFAGJ-në.

njoftimin e Universitetit ‘Fehmi Agani’ theksohet se pas mbylljes së intervistës me kandidatët, këshilli drejtues formoi komisionin ad-hoc për monitorimin e procesit të votimit dhe njëkohësisht zhvilloi procedurën e votimit.

“Pas raundit të parë të votimit rezultoi që asnjëri kandidat të mos merr shumicën absolute të votave andaj u organizua raundi i dytë i votimit ku rezultoi që kandidati Drilon Bunjaku të merr 2 vota, kandidati Haxhi Kamberi 0 vota, kandidatja Kimete Canaj 0 vota, dhe kandidati Rifat Morina 1 votë, dhe 2 vota tjera ishin të pavlefshme”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim potencohet se pasi as në rundin e tretë asnjëri kandidat nuk mori votat e nevojshme u mor vendim që konkursi për pozitën e rektorit të rishpallet.

“U organizua votimi me dy kandidatët më me së shumti vota, kur në tri raundet e njëpasnjëshme të organizuara rezultoi që asnjëri kandidat të mos merr shumicën absolute të votave siç parashihet me statutin e Universitetit “Fehmi Agani” Gjakovë. Në vazhdimësi të mbledhjes, Këshilli Drejtues i Universitetit “Fehmi Agani”, mori vendim që konkursi për pozitën e rektorit të Universitetit të rishpallet”- thuhet në njoftim.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar Artan Nimani ishte shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Gjakovës. Sipas këshillit drejtues të Universitetit të Gjakovës, Nimani kishte dështuar të krijojë ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për mbarëvajtje të procesit mësimor si pasojë e minimizimit dhe mosndëshkimit të rasteve të dhunës (rrahje, shantazhe, kërcënime).

Sot pritet të zgjidhet rektori i ri i Universitetit të Gjakovës