Mediat në Serbi: Amerika po bënë presion të tmerrshëm mbi Greqinë që ta njoh Kosovën

Disa media në Serbi, po konsiderojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke bërë një presion të madh, madje e quajnë ‘të tmerrshëm’ mbi Greqinë, për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Po sipas tyre, kjo po kërkohet që të bëhet para rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sigurisht e vazhdimisht duke iu referuar Kosovës si ‘Kosova dhe Metohija’.

Sipas raportimit të mediave të shtetit fqinj verior, i gjithë ky presion po bëhet direkt nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Duke iu referuar ‘burimeve të tyre diplomatike’, ato shkruajnë se “është e rëndësishme për Washingtonin që Athina ta njohë pavarësinë e Kosovës përpara vazhdimisht të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, i cili është planifikuar në mes të qershorit”.

“Ideja është të ‘dobësohet’ pozicioni i Serbisë me “njohjen greke” dhe të tregohet që pavarësia e Kosovës është punë e kryer”, shkruan një nga mediat në Serbi.

Përtej kësaj, në shkrimin që po qarkullon mediatikisht në Serbi, po konsiderohet se kjo do përbënte edhe shkelje të Marrëveshjes së Washingtonit të arritur në kohën e ish presidentit Donald Trump, e si rrjedhojë do nënkuptonte se edhe Serbia ka të drejtë të rinisë fushatën nëpër shtetet njohëse të Kosovës, për ta çnjohur atë.

Gjithashtu, shkrimi nënvizon frikën se në rastin e njohjes së Kosovës nga Greqia, kjo do të mund të pasonte me njohje edhe nga vendet tjera evropiane, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia që do të mund ta ndiqnin shembullin e njëjtë.

Mediat në Serbi citojnë analistin serb Aleksandar Paviç i cili ka thënë se “një operacion i madh presioni po zhvillohet nga fuqitë perëndimore, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.