Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Me Çekinë nën drejtimin e presidencës së BE-së, Osmani shprehet optimiste për vizat

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Slloveni u shpreh optimiste që gjatë drejtimit të Këshillit të Bashkimit Evropian nga Çekia mund të priten hapa pozitivë.

“Ne jemi duke i lejuar vetes që të jemi optimist dhe kjo mund të bëhet gjatë presidencës së Çekisë, dy arsye për këtë, lufta në Ukrainë dhe mënyra sesi shtetet po e shohin zgjerimin, dhe duhet të ketë bëjë me reformat që po merren në Kosovë dhe besueshmërinë që institucionet janë duke treguar”, tha ajo.

Osmani edhe njëherë ripërsëriti se Kosova tash e disa vite ka plotësuar kriteret për vizat.

“Mendoj që është një nga ato proceset ku duket qartë se presim që BE-ja të marrë masa sepse janë tashmë 4 vite që i kemi plotësuar kushtet edhe është konfirmuar disa herë se i kemi plotësuar kushtet”, tha Osmani në një panel diskutimi.

Osmani foli edhe për mundësinë e një udhërrëfyesi të ri për vizat, për të cilin tha se është i papranueshëm.

“Tani janë disa zëra të vetmuar në BE që thonë ta kthejmë procesin në zero dhe ta rivlerësojmë dhe kjo për neve është e papranishme, dhe ne nuk do të bindemi që të kthehemi në fillim ta vlerësojmë çdo kriter”, shtoi ajo.

Çekia, nga 1 korriku, ka marr kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që zgjat deri në fund të këtij viti.

Në gjashtë muajt paraprakë, në këtë pozitë ishte Franca.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës që nga marsi i vitit 2018 e ka ratifikuar këtë marrëveshje, BE-ja ende nuk ka arritur konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës