Me 30 derra në furgon, ndalohet kontrabanduesi

Një furgon me 30 derra që dyshohej se po kontrabandoheshin është ndaluar në territorin e komunës së Leposaviqit.

KALLXO.com mëson se në orët e mbrëmjes më saktësisht rreth orës 18 e 30 policia kishte ndaluar një furgonin të cilin po e drejtonte një qytetar i nacionalitetit serb me vendbanim në Graçanicë, nën dyshimin se ai po bartte mallëra ilegalisht.

Qytetari kishte ngarkuar 30 derra në furgon pa dokumentacion ndërsa hyrja në Kosovë dyshohet se është bërë përmes rrugëve ilegale.

Në lidhje me ndalimin e personit të dyshuar i cili po kontrabandonte kafshë, është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Ky i fundit ka hapur rast ndaj të dyshuarit për tregti të ndaluar ndërsa në lidhje me rastin po merret edhe Njësia e Krimeve Ekonomike të regjionit të Mitrovicës.