Ilustrim

Gjenden 22 lloje të barnave pa banderola në një barnatore në Pejë, Policia arreston një të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se sot ka arrestuar një person në Pejë nën dyshimin se ka kryer veprat penale – prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore, dhe – tregtia e ndaluar.

Sipas njoftimit, hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, pas disa veprimeve hetimore/operative sot kanë zhvilluar një operacion policor në rajonin e Pejës.

Gjatë operacionit, hetuesit kanë kontrolluar tri lokacione – barnatore, pasi ekzistonte dyshimi se ato ishin duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se ishin sjellë kontrabandë  dhe ishin të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Policia thotë se në dy biznese nuk janë gjetur parregullsi, ndërsa në biznesin e tretë, në bagazhin e automjetit i cili ishte i parkuar para këtij biznesi, janë gjetur 22 lloje të barnave, gjithsej 561 paketime pa banderola, me prejardhje nga Turqia.

Në vendin e ngjarjes, nga inspektorët farmaceutikë është konfiskuar sasia e barnave te gjetura.

Në komunikatë bëhet e ditur se i dyshuari M.B. (viti i lindjes 1992) është shoqëruar në zyrat e NJRHKEK-Pejë, ku është intervistuar në prezencën e avokatit.

Për rastin është njoftuar prokurori i çështjes nga Prokuroria e Pejës, i cili ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë për të dyshuarin.