Më 14 dhjetor merret vendimi në Apel për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafën

Gjykata Speciale në Hagë ka caktuar datën e shpalljes së vendimit të shkallës së dytë në çështjen e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Sipas njoftimit, shpallja në Apel do të bëhet më 14 dhjetor 2023.

“Për këto arsye, Kolegji i Gjykatës së Apelit: PLANIFIKON shpalljen e Aktgjykimit të Apelit për të enjten, më 14 dhjetor 2023, në ora 9:30; dhe UDHËZON palët dhe pjesëmarrësit që të tregojnë, deri të hënën, më 4 dhjetor 2023, ora 16:00, nëse do të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance, siç është detajuar më sipër në paragrafin”- thuhet në vendim.

Salih Mustafa u arrestua dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Pas dy vitesh gjykim, ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022 u dënua me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri. Ndërkaq, u gjet i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor.

Gjykata argumentoi dënimin duke theksuar se Mustafa kishte kryer këto krime ndaj të burgosurve civilë në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshatin Zllash, kur ishte komandant në Zonën Operative të Llapit të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, më 5 maj 2023 Mustafa dorëzoi një dosje me argumente në Apel.

Avokati i tij, Julius Von Bone, në dosjen e tij të publikuar ka shprehur dyshimet se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Avokati argumentoi se Gjykata nuk ka respektuar rregullat ligjore, duke përfshirë edhe shkeljen e parimit “lex mitior”, i cili duhet të aplikohet në favor të të akuzuarit.

Von Bone theksoi se në rastin e Mustafës dënimi nuk duhet të kalonte mbi 15 vjet burgim

Ai gjithashtu kritikoi që Gjykata nuk ka respektuar ligjet e Kosovës, duke përfshirë dhe numrin e personave që Mustafa akuzohej se i ka torturuar. Megjithatë, në vend të të gjeturit fajtor për torturimin e të paktën 6 personave, Gjykata ka verifikuar vetëm dy raste ku ai është përfshirë në torturim.

Von Bone në ankesë argumentoi se Gjykata gjithashtu ka bërë një gabim në peshimin e rrethanave rënduese.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA, i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në këtë çështje janë 8 viktima pjesëmarrëse.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.