Mbyllet kantieri i ndërtimit në Ferizaj, rrezikoheshin punëtorët dhe qytetarët

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet inspektimi i Inspektoratit të Punës në biznese të ndryshme, ku është raportuar për shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe siguria në punë.

Dy biznese nga rajoni i Ferizajt gjatë këtij muaji ishin raportuar se kishin shkelur të drejtat e punëtorëve.

Ankuesit kishin shprehur shqetësimin e tyre se në një kantier të ndërtimit në këtë rajon, pos punëtorëve, aty rrezikohen edhe qytetarët, pasi që i njëjti ishte pa rrethoja.

Ekipi i KALLXO.com kishte denoncuar rastin në Inspektoratin e Punës.

Këta të fundit kishin dalë në terren dhe ajo që evidentojnë menjëherë që kantieri i ndërtimtarisë nuk është i rrethuar dhe si i tillë paraqet rrezik për qytetarët dhe punëtorët.

“Ne jemi nga Inspektorati i Punës, rajoni i Ferizajt, kemi një ankesë nga një ankues përmes KALLXO.com që punimet që janë duke u zhvilluar nuk ka masa të sigurisë dhe kemi dalë për një vizitë inspektuese” – thotë Burim Fazliu mga Inspektorati i Punës.

Pas konstatimeve, inspektorët bashkë me pronarin e kantierit dalin në vendin e ngjarjes.

“Këtu duhet ti me ofru siguri sepse nuk na garanton që nuk mund të kalojë një fëmijë këtu, ajo pjesa andej ka banorë dhe nuk është e izoluar. Ne duhet t’i vendosim shiritat, derisa ti merr masat për rrethojë” – thotë më tej Burim Fazliu nga Inspektorati i Punës.

Në këtë terren parashihet të ndërtohet një objekt banesor.

Për shkelje të ngjashme të të drejtave të punëtorëve mund të raportoni në KALLXO.com.