Ilustrim

Mbi 6500 kontakte të rasteve me coronavirus të identifikuara deri më tash nga IKShPK

 

Numri i të infektuarve me COVID-19 këtë të martë shënoi rënie të dukshme. Sipas njoftimit të IKSHPK-së, nga gjithsej 191 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, vetëm 6 raste kanë rezultuar pozitive me COVID-19, ndërsa 5 persona janë shëruar.

Nga data 08 shkurt deri më 21 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.200 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej gjashtëqind e katër (604) raste, ndërsa gjithsej tetëmbëdhjetë (18) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6.514 kontakte të rasteve./21Media