Nën ndikimin e alkoolit, kapiteni i policisë suspendohet pasi voziti veturën në mënyrë të rrezikshme në Gjilan

Një zyrtar policor me gradën kapiten është suspenduar nga detyra nën dyshimin se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

I njëjti sipas një njoftimi të Inspektoratit Policor të Kosovës, në ndikim të alkoolit, jashtë detyrës zyrtare ishte duke vozitur veturën e tij në mënyrë të rrezikshme.

Fillimisht sipas njoftimit të IPK-së, policia ishte njoftuar nga qytetarët se mbrëmë kishin vërejtur një vozitje të rrezikshme në Gjilan e që u ishte rrezikuar jeta dy qytetarëve.

Pas marrjes të informacioneve është identifikuar i dyshuari i cili ka rezultuar të jetë zyrtar policor (me gradën e kapitenit).

Hetuesit e IPK-së kanë identifikuar dhe intervistuar tre dëshmitarë lidhur me rastin.

Zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast i është bërë  testi i alkoolit dhe ka rezultuar së i njëjti ka qenë duke drejtuar veturën e tij private (jashtë detyrës zyrtare) nën ndikimin e alkoolit (2.08 promila).

Zyrtari policor është suspenduar përkohësisht përderisa rasti sipas urdhrit të Prokurorit do të trajtohet sipas procedurës së rregullt.

Veprime të tjera sipas IPK-së, do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.