Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
Mbështetja e Turqisë për pranimin e Suedisë në NATO, presidentja Osmani e cilëson si lajm të shkëlqyer
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si të shkëlqyeshëm lajmin që Turqia do ta mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO.
“Lajm i shkëlqyer. Në vazhdim: Kosova, Ukraina dhe Bosnja dhe Hercegovina në NATO, për një Aleancë më të fortë dhe një Evropë më të sigurt”- ka shkruar ajo në Twitter.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Kështu tha sot shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, i cili shtoi se Erdogan do të dërgojë aplikimin e Stokholmit për anëtarësim në NATO te Parlamenti turk për ratifikim.
Turqia ka bllokuar aplikimin e Suedisë në Aleancë, duke e akuzuar Stokholmin se strehon aktivistët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë.
Më herët gjatë të hënës, Erdogan kushtëzoi pranimin e Suedisë në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
Por, në deklaratën e lëshuar pas takimit trepalësh u tha se Turqia dhe Suedia do të punojnë ngushtë “në koordinimin e kundërterrorizmit” dhe do të fuqizojnë raportet dypalëshe tregtare.
Që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s, duhet që të 32 shtetet të ratifikojnë në parlamentet e tyre protokollet e pranimit. Në rastin e Suedisë, përveç Turqisë, edhe Hungaria nuk e ka ratifikuar protokollin që Stokholmi të bëhet pjesë e Aleancës.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022.
Finlanda u bë anëtare e Aleancës në prill të vitit 2023.
Stoltenberg: Turqia do të mbështesë pranimin e Suedisë në NATO